E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, mbërrijnë paditë e para për qëndrim në shtëpi



Laureta Rryçi

Tiranë - Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për Shërbimin e Provës, janë depozituar dhe paditë e para që përfitojnë nga ky ligj. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës shpjeguan dje se gjatë këtyre ditëve ka pasur një fluks kërkesash nga të dënuarit kryesisht për “Qëndrim në Shtëpi”. Kjo është një nga mënyrat për të përfituar nga ligji për Shërbimin e Provës. Falë këtij ligji pritet që rreth 450 të dënuar të lënë qelinë për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit ose në shtëpi ose nën masën detyrim paraqitje. Pas depozitimit të padive, është hedhur dhe shorti dhe pritet që të nisë gjykimi për ta brenda pak ditësh.
Vëzhgimi
Sapo gjykata ka dhënë vendimin pro kërkesë së të dënuarit për qëndrim në shtëpi menjëherë Shërbimi i Provës kontakton institucionet lokale, policinë e shtetit si dhe çdo ent publik ose privat që do të asistojë në ekzekutimin e këtij vendimit. Në rast kur i dënuari nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga dënimin me qëndrim në shtëpi, Shërbimi i Provës do të njoftojë menjëherë prokurorin e çështjes. Nëse prokurori është dakord dhe për pasojë i dënuari rrezikon t’i ndryshohet vendimi që është dhënë ndaj tij. Pas vendimit për qëndrim në shtëpi, gjykata harton edhe vizitat rutinë të lajmëruara dhe ato të palajmëruara në shtëpinë e të dënuarit në provë ose në qendrat e kujdesit ku i dënuari vuan dënimin si dhe mbajtjen e kontakteve me të dënuarin dhe familjen e tij.
Funksionimi
Shërbimi i Provës do të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës e do të organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme do të jetë në ministri dhe do të përbëjë nivelin qendror, ndërsa zyrat vendore do të veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Rregullat e hollësishme që do të vënë në lëvizje këtë organ shtetëror tashmë janë përcaktuar dhe pas 15 ditësh pritet të nisë zbatimi i këtyre dënime. Në praktikën e vendeve të tjera, zbatimi i dënimeve alternative ka ndikuar në uljen e fenomenit të mbipopullimit nëpër burgje. Përsa i përket personelit të shërbimit të provës ai do të organizohet në rangun Drejtorisë së Përgjithshme ku parashikohen Drejtori i Përgjithshëm, 15 drejtorë rajonal, 24 specialistë në rang kombëtar, dhe 10 persona personel mbështetës. Sipas specialistëve mekanizmi mbi ekzekutimin e dënimeve alternative do të kalojë në një proces zinxhir që nis me vendimin e gjykatës. Në ligj është përcaktuar që Gjykata, para dhënies së një dënimi alternativ, duhet të kërkojë një raport paraprak nga shërbimi i provës. Ky raport duhet të identifikojë dënimin e duhur alternativ për personin, për riintegrim në shoqëri dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale. Gjykata kur të vendosë pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me një dënim alternativ, duhet të dërgojë menjëherë prokurorit vendimin për ekzekutimin e këtij dënimi alternativ. Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata dërgon një kopje të vendimit në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari për lirimin e tij. Kur gjykata vendos revokimin e dënimit alternativ, personi i dënuar dërgohet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata merr vendim brenda shtatë ditës nga data e marrjes së kërkesës së prokurorit dhe vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës dhe prokurorit.

Thyen lokalin për të vjedhur, bien në pranga 3 autorët

Shkodër – Policia e Shkodrës ka mundur të vërë në pranga tre autorët e ngjarjes së pak ditëve më parë ku një lokal i këtij qyteti u thye me qëllim vjedhjen. Sipas të dhënave për gazetën “Albania” tre të ndaluarit janë Sokol Prroni, vjeç 23, lindur e banues në lagjen “Mark Lula”, Altin Logu vjeç 21, banues në lagjen “Tre Heronjtë” dhe Dashamir Prroni, vjeç 21, banues në lagjen “Mark Lula”. Bëhet e ditur se ndalimi i tyre u bë i mundur si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga efektivat e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me komisariatin e policisë së këtij qyteti. Nga ana e forcave të policisë u kryen veprimet e duhura procedurale hetimore dhe materialet në ngarkim të tre personave në fjalë i kaluan prokurorisë së rrethit.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›