Gjenden municione në një tunel në Delvinë, policia nis hetimet
Delvinë – Gjenden municione në një tunel në qytetin e Delvinës, policia ka nisur hetimet për të zbuluar personat që i kanë braktisur armët. Municionet janë gjetur mesditën e djeshme në afërsi të vendit të quajtur Gryka e Topit në qytetin e Delvinës. Policia mbërriti menjëherë pranë tunelit duke bërë të mundur sekuestrimin e armëve. Sipas burimeve të policisë në tunel u gjetën dy arka me municione, një çantë me fishekë, tre granata, prej të cilave dy ofensive dhe një difensive, tre kuti me ndezëse eksplozivi elektrik si, një kuti me kapsolla dinamiti si dhe një automatik kallashnikov. Oficerët e drejtorisë së policisë së Vlorës bënë të ditur se po hetohet për identifikimin e personave që kanë vendosur municionet në tunel. Paraprakisht policia dyshon se armët mund tu nevojiteshin personave për ndonjë grabitje, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të jenë përgatitur për tu shitur. Burimet policore bën me dije se hetimet po vazhdojnë ndërsa janë marrë në pyetje shumë persona.
Prokuroria kërkon 25 vjet burg për Kasemin, “ushtarin” e Altin Dardhës
Tiranë - Prokuroria e Tiranës kërkoi dje shpalljen fajtor dhe dënimin dhe dënimin me 25 vjet burg për Gëzim Kasemin, të njohur si “ushtari” i Altin Dardhës. Prokurori Tasim Puci ka shpjeguar se ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur më 25 shkurt të vitit 1998. Sipas pretencës së lexuar nga prokurori Puci, Kasemi, në bashkëpunim me Agron Bilalin dhe Altin Dardhën kanë organizuar dhe më pas kanë ekzekutuar Burhan Tomorin, i cili dyshohet se i kishte vrarë babin Dardhës. Gjatë ekzekutimit të Tomorit janë vrarë edhe tre persona të tjerë. I pandehuri Kasemi akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasje mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Gëzim Kasemi është dënuar në mungesë nga gjykata me 23 vjet burg për të njëjtat vepra penale. Pas ekstradimit të tij nga Italia, i pandehuri kërkoi rigjykim, pasi procesi i zhvilluar në mungesë nuk kishte qenë i rregullt. Kasemi e argumentoi se ai nuk ishte vënë në dijeni se ndaj tij kishte nisur gjykimi.
22 Prill 2009