E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e pallatit, Avokati i Shtetit kërkon kthimin e 46 milionë lekëve të dëmshpërblimit



Gjirokastër – Avokati i Shtetit i ka kërkuar sot gjykatës së Gjirokastrës përmes përfaqësuesit të tij, Kristaq Kutra, kthimin mbrapsht nga firma ndërtuese të shumës së 46 milionë lekëve që janë dhënë në formë dëmshpërblimi për shembjen e pallatit që ndodhi në muajin nëntor në këtë qytet. Bëhet e ditur se në seancën e djeshme Kutra ka kërkuar që fatura e dëmshpërblimit të banorëve të pallatit t’i kalojë firmës ARTI sh.p.k dhe shtetit t’i rikthehen paratë që ka akorduar. I pranishëm në seancë, i pandehuri Sotiraq Janori, një nga administratorët e firmës Arti sh.p.k., që kryente ndërtime ngjitur pallatin e shembur, është njohur me pretendimin e Avokatit të Shtetit, përkundër akuzave të tjera që rëndojnë mbi të, si ajo e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe shkatërrimit të pronës me dashje. Ndërkaq, trupi gjykues pranoi kërkesën dhe vendosi që çështja të gjykohet e veçuar nga procesi penal në ngarkim të të pandehurve si fajtorë të shembjes së pallatit në Lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës. Në gjykim janë dhe Gjergj Meçe, Afërdita Papamihali, Admir Shehaj, Petrit Maksuti, Leonard Mustafaraj dhe Alfred Mamani, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, ndërsa u pushua çështja për aksionarin tjetër të firmës “Arti”, Aristotel Haxhi,pasi sipas prokurorisë nuk kishte kryer asnjë vepër penale, si dhe për inxhinierin Luan Bufi, arkitektin Njazi Çobani dhe gjeologun Thanas Llahana.

Vetëvaret 28-vjeçari, mister motivet

Shijak – Një 28-vjeçar është gjetur i varur në një pemë poshtë urës në hyrje të qytetit të Shijakut, në orët e para të ditës së djeshme. Ka qenë një kalimtar i rastit i cili konstatoi trupin e pa jetë të 28-vjeçarit Taulant Bulluti, të varur me litar në një pemë. Policia e Shijakut e njoftuar për ngjarjen mbërriti menjëherë për të administruar provat, ndërsa pas identifikimit të viktimës, oficerët nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij vetëflijimi. Sipas policisë Taulant Bulluti banonte në vendin e quajtur “Katër Rrugët” në Shijak, dhe ishte punëtor në një servis automjetesh. Ai kishte vetëm pak kohë që ishte martuar. Policia bëri të ditur se janë marrë në pyetje familjarët e të ndjerit, por deri më tani ende nuk është zbardhur ndonjë motiv që ka detyruar Bullutin ti japë fund jetës. Trupi i tij u dërguar në morgun e spitalit të qytetit për t’ju nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›