E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nismat e PS-së, Topalli i shkruan Ramës

Topalli kërkon që PS-ja të bëhet pjesë e diskutimit të sotëm në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, lidhur me dy nismat ligjore të depozituara nga opozita


TIRANË - Përfshirja në axhendë e diskutimit të dy nismave ligjore të Partisë Socialiste në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve ka shtyrë kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli që të komunikojë zyrtarisht përmes një letre me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.


Në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri të grupit parlamentar të PS-së, Topalli i është drejtuar dje kryetarit të opozitës, duke i kërkuar që PS-ja të bëhet pjesë e diskutimit në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare të dy nismave ligjore të depozituara pak ditë më parë nga grupi parlamentar i PS-së.


"Në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr 8891 datë 2.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit", në cilësinë e kryetares së Kuvendit, kam vendosur të thërras mbledhjen e konferencës së kryetarëve, ditën e martë, datë 2 mars 2010, ora 13.00, për të diskutuar mbi kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste.


Sipas nenit 12 të rregullores së Kuvendit, konferenca e kryetarëve përbëhet nga kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit. Për sa më sipër do të dëshiroja pjesëmarrjen e kryetarit të grupit parlamentar të partisë Socialiste",- thuhet në letrën e dërguar nga Topalli, kryetarit të opozitës, Edi Rama.


Lidhur me letrën e Topallit, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar dje nga selia e Partisë Socialiste. Gjithçka pritet që të vendoset sot kur kryetarja e Kuvendit do të mbledhë në sallën e byrosë parlamentare konferencën e kryetarëve, një pritje të pjesëmarrjes së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, meqenëse, sipas Topallit do të diskutohen dy nismat ligjore të kësaj force politike.


Përmes dy nismave ligjore, Partia Socialiste synon ngritjen e një komisioni parlamentar të posaçëm, të kryesuar dhe me shumicën e anëtareve nga opozita, që do të hetojë mbi dyshimet në lidhje me shkeljet e ligjeve dhe akteve nënligjore që rregullojnë procesin zgjedhor, parregullsitë në procesin e numërimit, shpërdorimin e pasurive publike dhe angazhimin e detyruar të punonjësve të administratës publike për fushatat zgjedhore, etj.


PS-ja përmes nismave propozon edhe një rregull të ri ligjor, sipas së cilës, komisioni hetimor administron dokumente zyrtare, prova filmike, si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve, përfshi edhe hapjen e një ose disa kutive të votimit, ku kërkohet këqyrja, hetimi ose publikimi i një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre.

**************

PS i kërkon Berishës që të përballet me manipulimin e zgjedhjeve

PS: Berisha të mos fshihet pas gjykatave

TIRANË - Partia Socialiste i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të përballet me manipulimin e zgjedhjeve, në të kundërt, kryeministri do të përballet me popullin opozitar. Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, reagoi dje pas qëndrimit të mbajtur nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.


"Partia Socialiste ka pritur këto ditë një përgjigje serioze për ofertën e bërë javën e shkuar në parlament, ofertë që i kontribuon zgjidhjes së krizës, po deri sot nuk ka pasur një të tillë.


Mënyra e sjelljes në seancën e Parlamentit nga drejtuesit më të lartë të PD-së, reagimi i Kryeministrit dhe refuzimi i tij, për të dhënë një përgjigje që do ta fuste krizën në rrugën e zgjidhjes, janë prova e qartë e mungesës së vullnetit politik për një hetim të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të Qershorit.


Sot Kryeministri u fsheh përsëri pas gjykatave për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës", - tha Leskaj. Sipas saj, me përpjekjen e sforcuar, për ta futur nismën në rutinën e kalendarit të parlamentit, kryeministri ka kontribuar në radikalizimin e situatës.


"Kriza, është prezente dhe e gjithëpranuar, ajo nuk zgjidhet kur bën sikur nuk e sheh, zgjidhja e vetme është transparenca. Askush nuk duhet të ketë frikë nga transparenca. Këshilla jonë për Sali Berishën është se herët a vonë, ai duhet të gjejë kurajën ta përballojë këtë frikë.


Ai duhet të gjejë kurajën të përballet publikisht me të vërtetën për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në rast të kundërt do të përballet me popullin opozitar", - tha Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›