Aksidenti, humb jetën 75- vjeçari
SHKODËR- Një 75- vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në aksin rrugor Shkodër - Vau Dejës.
Muharrem Dashi, banus në fshatin Mjedë, ka qenë duke lëvizur në këmbë në aksin rrugor Mjedë- Vau Dejës ku në vendin e quajtur Kthesa e Kaçës është përplasur nga një automjet tip Fiat Punto me targa "SH 1741 E" dhe drejtues shtetasin Emaldin Smakaj, vjeç 21. Menjëherë pas aksidentit, i dëmtuari është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër në gjendje kritike për jetën dhe pas dy orësh ka gjetur vdekjen.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici ndërsa po punohet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti. Kjo është viktima e 25-të e aksidenteve automobilistike të ndodhura në qarkun e Shkodrës gjatë këtij viti.
Arben Abazi, pas një sherri në familje, ka tërhequr zvarrë në rrugë të atin e më pas ka nisur ta qëllojë me një limë
Sherri në familje, djali tenton të vrasë babanë
VLORË- Sherri në familje për pak sa nuk i ka marrë jetën një 53- vjeçari nga Vlora, i cili është qëlluar barbarisht nga djali i tij me një limë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00 të ditës së djeshme në lagjen "28 nëntori" të qytetit të Vlorës. Arben Abazi, pas një sherri në familje, ka tërhequr zvarrë në rrugë të atin e më pas ka nisur ta qëllojë me një limë. Fillimisht e ka qëlluar në grykë, e më tej në kokë, e pjesë të tjera të trupit.
Kanë qenë thirrjet për ndihmë të të lënduarit që kanë afruar aty komshinj të familjes Abazi, të cilët fillimisht kanë hezituar të afrohen, por më tej pas djali ka hedhur tej limën e përdorur si armë të krimit ata janë afruar duke ia hequr nga duart të atin 53- vjecar.
Pas kësaj Petrit Abazi, 53 vjeç, në gjendje të rëndë është shoqëruar me urgjencë në spitalin e Vlorës, ku sipas mjekëve ende po lufton me vdekjen. Ai ka dëmtime serioze në kokë, sy, grykë e pjesë të tjera të trupit.
Ndërkohë, 25- vjeçari nuk ka lëvizur nga vendi deri në ardhjen e policisë që e ka arrestuar. Sipas fqinjëve të familjes Abazaj, familja në fjalë ka pasur konflikte të brendshme, pasi bashkëshortët Abazaj ziheshin shpesh me njëri-tjetrin. Ndërkohë që me ta jetonte vetëm djali i madh, pasi autori i krimit është student muzike në Tiranë dhe kishte ardhur për festat e fundvitit.
Sipas komshinjve, shkak i ngjarjes ka qenë dhuna fizike që i lënduari Petrit Abazi ushtronte mbi të shoqen, nënë e autorit. Një dëshmitar në vendngjarje, Elmaz H., shprehet se fillimisht autori e ka ngjeshur pas murit të atin e i mbante në grykë limën. Pas kësaj, ai ka nisur ta qëllojë, ndërkohë që nuk fliste asnjë fjalë.
"E ka qëlluar disa herë pa ndalim dhe më pas e ka lënë përtokë. Është larguar pak momente dhe ka nisur ta qëllojë sërish, por një moment ka hedhur tej limën, dhe aty kanë ndërhyrë dy persona, të cilët e hoqën mënjanë. Ai nuk ka folur gjatë gjithë kohës dhe qëndroi aty deri sa erdhi policia",- tha dëshmitari.
Policia në vendngjarje ka nisur kryerjen e ekspertizës dhe marrjen e provave materiale, ndërkohë që inspektorët kanë marrë në pyetje 25 -vjeçarin, që është dërguar në dhomat e paraburgimit.
Fier, zhduket pistoleta e policit bashkiak
FIER- Një pistoletë e zhdukur disa kohë më parë po kthehet në "mollën e sherrit" mes policisë bashkiake dhe asaj të rendit në qytetin e Fierit.
Arma e zhdukur i përkiste policit bashkiak Petraq Kola dhe mendohet se i është marrë në komisariatin e policisë. Kola është thërritur në komisariatin e policisë për një problem pune dhe në hyrje ka lënë armën e shërbimit. Por kur ka dalë që andej ai nuk ka marrë më armën.
Ngjarja ka ndodhur më datën 05.07.2009 dhe prej asaj kohe arma nuk është gjendur. Bashkia ka denoncuar humbjen e pistoletës tip "TT" me nr "46016836-66", të cilën e kishte në organikë.
Polici bashkiak, i cili dikur ka qenë në organikën e policisë së këtij komisariati, tregon se para se të futej armën e kishte dorëzuar tek oficeri i rojës. Ai kishte marrë edhe një vërtetim për dorëzim arme, sipas ligjit në të tilla raste.
Pasi është pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore, ai është lënë i lirë, por arma nuk i është dhënë. "E kam kërkuar disa herë armën për të ma dhënë por kanë kaluar pesë muaj dhe arma ndodhet e bllokuar në komisariat. Nuk e di pse e mbajnë", -shprehet ai.