Përdhunoi ish- të fejuarën, dosja mbërrin në Gjykatë
E dëmtuara denoncoi se ishte rrëmbyer dhe futur me forcë në autoveturë, më pas u përdhunua nga njeriu që ishte ndarë
TIRANË- Një person i akuzuar për përdhunimin e ish- të fejuarës së tij duhet të përballet në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, për krimin për të cilin dyshohet, ndërsa ndaj tij rëndon edhe akuza e heqjes së padrejtë të lirisë së personit. Prokuroria e kryeqytetit ka përfunduar hetimet për ngjarjen e ndodhur në Tiranë në nëntor të këtij viti.
Ermal Gjoni, 21 vjeç, u arrestua për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj ish- të fejuarës së tij. Dosja hetimore në ngarkim të Ermal Gjonit, i arrestuar pas denoncimit të ish- të njohurës së tij është dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.
Sipas hetimit, i pandehuri Ermal Gjoni, 21 vjeç, akuzohet për konsumimin e veprës penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur dhe heqje të paligjshme të lirisë. Për të mbyllur fazën hetimore për ngjarjen që u denoncua nga vetë vajza e dëmtuar Prokuroria e Tiranës për një muaj e gjysmë mbylli hetimin. Ndërkaq, treshja gjykuese e kësaj dosjeje penale pritet të drejtohet nga gjyqtari Kreshnik Omari.
Ngjarja për të cilën akuzohet 21- vjeçari Ermal Gjoni, ka ndodhur më 10 nëntor të këtij viti në lagjen Shkozë të kryeqytetit, ku ky i fundit, pasi ka marrë me forcë ish- të fejuarën e tij e ka dërguar në një motel në periferi të kryeqytet duke e përdhunuar. Vajza 18- vjeçare është marrë me forcë në makinën që drejtohej nga vetë Gjoni, por mësohet se babai i të dëmtuarës më pas ka kryer denoncimin në polici.
Disa orë pas ngjarjes së rëndë, Ermal Gjoni është prangosur si autor i dyshuar i përdhunimit të ish- të fejuarës së tij. Dy të rinjtë janë takuar fillimisht para shkollës "Abdulla Keta", ku e dëmtuara ishte nxënëse në vitin e tretë dhe pasi kanë shkëmbyer fjalë midis tyre, 21- vjeçari ka përdorur forcën për ta marrë me dhunë në makinën e tij.