Aksidenti, humbin jetën dy persona, një nga viktimat ish deputeti i PS
Dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë.
Sipas burimeve nga policia, njëri prej viktimave është ish deputeti socialist Lekë Çukaj, ndërsa tjetri Hasan Guci.
Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e djeshme. Sipas burimeve nga policia, në aksident janë përfshirë dy automjete të llojit “Mercedes-Benz”, me targat TR 8959 A dhe SH 0252 E. Si pasojë e përplasjes së mjeteve, dy drejtuesit e tyre kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që i treti mori dëmtime të shumta dhe u dërgua për të marrë ndihmën e parë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia shkoi në vendngjarje dhe ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e aksidentit..
Çukaj ishte deputet i PS në dy legjislaturat e kaluara. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe terreni i rrëshqitshëm si pasojë e rreshjeve.