Moti i keq, probleme në veri e jug të vendit
Moti i keq ka përfshirë vendin, duke shkaktuar probleme në qarkullim e duke izoluar zona të ndryshme në veri e jug të territorit shqiptar. Për t’i bërë ballë situatës së vështirë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme lajmëron se janë marrë të gjitha masat për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë personave në nevojë dhe për të ndihmuar në normalizimin e situatës. Në veri të vendit qarqet me problematikë janë ato të Kukësit dhe Dibrës, ku reshjet e shumta të dëborës kanë izoluar disa fshatra, ndërkohë që në jug, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati ka pasur përmbytje, që kanë rrezikuar edhe jetën e personave. Nga informacionet e marra nga Drejtoritë e Policisë në Qarqe, inspektorët e Emergjencave Civile në rrethe, situata ka përmirësime të ndjeshme. Shtabet e emergjencave në qarqe nën drejtimin e prefektëve po ndjekin situatën në vazhdimësi, me masa konkrete për lehtësimin e veprimtarisë të komuniteteve dhe të mjeteve të transportit. Kështu, të gjitha efektivat e Policisë të Qarkullimit Rrugor, të mbështetura nga gjithë efektivat e Rendit në të gjithë zonën verilindore janë në gatishmëri të plotë dhe po merren me disiplinimin e qarkullin rrugor dhe për të shmangur ndonjë aksident. Nga informacionet e marra në institucionet e prefektit rezulton se ka përmirësime të motit dhe të situatës, në qarqet që kishin paraqitur probleme gjatë ditës së djeshme.
Qarku Shkodër
Me ardhjen e temperaturave të ulëta, situata në Qarkun e Shkodrës nuk ka paraqitur probleme, pasi kryesisht ka pasur reshje shiu. Përjashtim bën rrethi i Pukës, ku gjatë pjesës së dytë të ditës së djeshme dhe gjatë natës, ka pasur reshje bore në lartësitë mbi 1000 m. Aksi rrugor Qafë Mali-Qafë Shllak e kalueshme me zinxhirë për mjetet e vogla. Trajlerat nuk lejohen se paraqesin vështirësi dhe mundësi rrëshqitje, duke krijuar premisa për të bllokuar qarkullimin. Rruga Qafë Mali-Fierzë deri në fshatin Dardhë është e kalueshme, por me zinxhirë. Në vazhdim të këtij aksi në zonën Dardhë-Poravë me gjatësi 30 km, po punohet për hapjen e rrugës për t’u lidhur me Komunën Blerim dhe më tej drejt Bajram-Currit. Akset e tjera rrugore janë të kalueshme dhe nuk paraqesin pa probleme. Në rrethin e Pukës vazhdon të jetë e bllokuar vetëm rruga për në Komunën Iballë, ku trashësia e borës i kalon të 70 cm.
Qarku Kukës
Si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës, disa zona në qarkun e Kukësit kanë mbetur të bllokuara. Sipas informacioneve të marra në lartësitë mbi 1000 m ka pasur reshje bore. Me gjithë reshjet e mëdha, akset e rrugëve nacionale kanë qenë të kalueshme, por me vështirësi. Moti ka qenë më i butë dhe shihet një përmirësim i situatës. Rruga Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë është e kalueshme me zinxhirë, ndërsa rruga Fierzë-Bajram Curri-Morinë e kalueshme me zinxhirë. Rruga Krumë-Qafë Prush e kalueshme me zinxhirë, kurse aksi Krumë-Kukës është i kalueshëm. Nga informacionet e marra, komuna të bllokuara janë: Arrën, Zapod, Gryk Çaj dhe Kalis në rrethin e Kukësit. Në rrethin e Tropojës janë të bllokuara Komuna Lekbinaj dhe pjesërisht rruga Bajram-Curri-Valbonë. Në rrethin e Hasit nuk ka komuna të bllokuara.
Qarku Dibër
Në të gjithë territorin e Qarkut Dibër ka pasur reshje shiu dhe moti ka qenë i butë. Nuk ka as edhe një aks rrugor nacional të bllokuar. Rrugët Bulqizë-Peshkopi, Peshkopi-Tiranë të kalueshme, pa zinxhirë. Rrugët Bulqizë-Krastë; rruga për në Ostren, Trebisht, Klenjë, Martanesh, Selishtë, të kalueshme me zinxhirë. Rruga për në Komunat Xibër, Macukull të rrethit të Matit të kalueshme me zinxhirë. Rruga Lurë-Rrëshen dhe për në Kalanë e Dodës e kalueshme me zinxhirë. Rruga Lurë-Peshkopi (rrugë vetëm për verë), është e bllokuar. Ura e Lufit, që lidh komunat Lis, Rukaj, Derjan dhe Macukull kalohet me vështirësi me një kalim. Ndërkohë që po merren masa për riparimin e dëmtimit që ka pësuar shpatulla e Urës së Lufit.
Situata është paraqitur normale dhe pa probleme në Qarkun e Lezhës.
Qarku Gjirokastër
Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut dhe temperaturat e ulëta, të cilat kanë krijuar probleme dhe vështirësi. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drino, janë përmbytur disa hektarë tokë. Gjithashtu është përmbytur edhe nënstacioni vjetër elektrik. Kjo ka bërë që gjysma e Gjirokastrës të mos ketë drita. Po punohet me zjarrfikëse për të thithur dhe larguar ujin nga nënstacioni. Lumi i Vjosës ka arritur nivelet maksimale. Ndërkohë rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar bllokimin e rrugës që lidh qytetin e Përmetit me pikën kufitare të Tre-Urave.
Rruga është bllokuar në vendin e quajtur “Rrethi i Bablonjës”. Për fadromat dhe mjetet e tjera ka qenë e vështirë që të ndërhyhet për zhbllokimin e aksit dhe normalizimin e situatës, për shkak të rënies se shkëmbinjve me përmasa të mëdha në rrugë, që nuk lejojnë manovrimin e mjeteve.
Qarku Fier
Nga reshjet e shumta, lumi Gjanicë ka dalë nga shtrati. Për pasojë ka pasur përmbytje në tregun e qytetit dhe banesat pranë shtratit të lumit, ku është bllokuar puna. Gjithashtu ka pasur dëme materiale në mallrat e tregtarëve të vendosura në magazinat në treg.
Qarku Korçë
Në Qarkun Korçë situata paraqitet normale. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme nga mjetet pa krijuar vështirësi.
Qarku Elbasan
Prurjet e lumit Devoll janë maksimale dhe nga rritja e nivelit ka dalë uji nga shtrati dhe ka bllokuar kalimin në Urën e Banjës, që lidh Gramshin me Cërrikun. Kalimi i mjeteve dhe udhëtarëve bëhet nga krahu tjetër Gramsh-Elbasan. Në komunën Poroçan të Gramshit, në fshatin Holtas, ka ndodhur një rrëshqitje dheu dhe u rrezikuan tri banesa. Janë evakuuar tre familje. Nga komuna kërkohet që të studiohet situata, për të përcaktuar masat që duhen marrë.
Gjirokastër, lumi bllokon dy makina, policia shpëton tre persona
Policia e Gjirokastrës ka shpëtuar tre persona, të cilët rrezikuan jetën, pasi automjetet me të cilat ata udhëtonin ishin bllokuar nga uji. Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor rural Gjirokastër-Komuna Lunxhëri e rrethit Gjirokastër në vendin e quajtur Ura e Aznakut, dy automjete ishin bllokuar nga uji dhe kërkonin ndihmë. Menjëherë në vendngjarje u nisën forca të shumta policie të drejtuara nga zv.drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, reparti zjarrfikës i drejtuar nga shefi i këtij reparti, si dhe u lajmërua prefektja e Qarkut Gjirokastër, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje. Në vendin e quajtur Ura e Aznakut dy automjete tip “Benz 240”, të cilët po udhëtonin nga Gjirokastra për në Komunën Lunxhëri njëri pas tjetrit, si pasojë e ardhjes së menjëhershme e rrjedhës së lumit Drino, këto dy automjete nuk mund të vazhdonin më tej lëvizjen, pasi uji arriti në një metër lartësi dhe automjetet u mbushën me ujë. Në automjetin e parë udhëtonte drejtuesi i automjetit së bashku me një pasagjer, ndërsa në automjetin e dytë ishte vetëm drejtuesi i automjetit, të cilët dolën mbi kabinën e automjetit. Automjetit i repartit zjarrfikës, së bashku me efektiva të zjarrfikëses dhe të policisë së qarkut u afruan me shumë vështirësi tek automjetet dhe pas një ore bënë të mundur që të tre shtetasit që ndodheshin në këto automjete t’i shpëtonin, si dhe automjete e tyre të nxirreshin nga uji.
Vlorë, rinisin kërkimet për gjetjen e 13-vjeçares që u mbyt në lumë
Policia e Vlorës ka nisur mëngjesin e ditës së djeshme kërkimet për gjetjen e trupit të 13-vjeçares që u mbyt në ujërat e lumit Shushicë para dy ditësh. Ngjarja ndodhi në pasditen e së shtunës afër fshatit Gjormë. E mitura ishte duke kaluar me vëllanë e saj me kalë lumin Vjosë, kur ajo është rrëmbyer nga uji. Vetëm vëllai i saj ka arritur që të dalë nga lumi, ndërsa 13-vjeçajra është zhdukur në ujërat e rrëmbyer. Policia ka nisur kërkimet, por ende nuk ka arritur të gjejë trupin e të miturës.