Aksidenti i Kërrabës, ska shenja fërkimi në autobus

Autobusi i delegatëve të AK-së, i aksidentuar të shtunën në Kërrabë
Autobusi i aksidentit të Qafë-Kërrabës do të nxirret sot nga gremina për tiu nënshtruar ekspertizës totale. Specialistë të caktuar nga Prokuroria e Elbasanit kanë kryer dje verifikimet në zonën pranë Qershive, ku u përmbys 30 metra në greminë autobusi me 35 delegatët e Aleancës Kuqezi nga Librazhdi. Paraditen e së dielës, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit bënë të ditura rezultatet e ekspertizës paraprake të aksidentit të autobusit me aktivistë të Aleancës Kuqezi që ndodhi pasditen e të shtunës, në aksin e rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan. Nga këqyrja paraprake nuk janë gjetur gjurmë ose shenja fërkimi në pjesët anësore të autobusit, siç u pretendua fillimisht për goditje të mjetit nga një makinë me targa të Tiranës. Sipas provave të grumbulluara nga ana e ekspertëve, shkaku i aksidentit të këtij autobusi dyshohet se ka qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të automjetit në fjalë. Si pasojë e humbjes së kontrollit ai ka devijuar drejtimin e lëvizjes, e cila është pasuar me daljen nga korsia e rrugës, çka ka bërë që mjeti të përfundonte disa metra poshtë saj, në shpatin e një kodre të pyllëzuar me qershi. Gjatë të dielës, ekspertët më të mirë të fushës së aksidenteve rrugore kanë punuar për dokumentimin e provave që do çojnë në zbardhjen e mistereve të momentit. Sipas njoftimit zyrtar, ekspertiza e deritanishme është rezultat paraprak, ndërkohë që theksohet se po vijon puna për ekspertimin e gjendjen teknike të mjetit të aksidentuar. Mësohet se dy ekspertët e caktuar nga Prokuroria vazhdojnë të hetojnë gjendjen e autobusit në vendin e ngjarjes, si edhe rrugën ku u krye aksidenti, në momentin para se mjeti të binte në greminë. Ditën e sotme pritet që autobusi të nxirret nga gremina dhe do të caktohet një brigadë mekanikësh profesionistë për të nisur kontrollin teknik të autobusit. Gjithashtu ekspertët teknikë do të çmontojnë të gjitha pjesët e autobusit dhe më pas materialet e nxjerra nga hetimet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të pasur një konkluzion rreth aksidentit. Ndërkaq, Policia ende nuk ka dhënë detaje rreth mjetit tip fuoristradë, dhe në një komunikatë zyrtare për shtyp ka deklaruar se ndaj drejtuesit të mjetit, shtetasit Mithat Biçaku, është marrë masa e arrestit në flagrancë. Grupi hetimor vazhdon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti. Tashmë pritet përfundimi i ekspertizës për të parë nëse me të vërtetë mjeti është përplasur nga fuoristrada apo vetë drejtuesi i autobusit ka manovruar gabim, duke përfunduar në humnerë. Pas ankthit që shkaktoi aksidenti i një autobusi me 35 aktivistë të Aleancës Kuqezi gjatë fundjavës gjithçka dukej se ishte rikthyer në normalitet. Dje, vetëm katër nga 35 personat që u përfshinë në aksidentin e të shtunës ndodheshin në spital, dhe sipas mjekëve, të hënën në mëngjes ata do të dalin thuajse të shëruar nga plagët e marra.
I plagosuri Kojku: Fat që shpëtova gjallë
Artan Kojku, 24 vjeç, është një ndër të plagosurit më rëndë nga aksidenti i Qafë-Kërrabës. Ai ka pësuar disa shembje muskulare dhe plagë të lehta në pjesë të ndryshme të trupit. Ashtu si edhe dëshmitarët e tjerë, Artani tregon se u nisën në mëngjes nga fshati Dorëz me furgon, e më pas në Librazhd i hipën autobusit drejt Tiranës. Në kthim, mjeti tip fuoristradë e goditi dy herë në parakalim autobusin, një herë në mes dhe një herë tjetër te rrota e parë. E më pas autobusi mori kthesën pjerrtas nga kodrina, duke humbur kontrollin e duke rrëshqitur pak në rrugë e më pas në greminë. Artani ka qenë në vendin e parë të autobusit, çka i ka shkaktuar dhe dëmtimet më të rënda. Fatmirësisht jam gjallë dhe me atë që përjetova këto plagë që kam marrë nuk janë asgjë fare. Kam jetë të dytë, thotë ai.
Mjeti, brenda normave teknike

Mithat Biçaku
Drejtuesi i mjetit të aksidentit, Mithat Biçaku, i cili ndodhet në një nga dhomat e spitalit, e cila rezervohet vetëm për të ndaluarit apo paraburgosurit, ka pretenduar se automjeti i ishte nënshtruar kontrollit teknik, sikurse parashikohet në ligj. Shoferi që ruhet nga uniformat blu ka shtuar ndër të tjera se ka përvojën e gjatë të punës dhe se ka besim tek ekspertiza për të dhënë shkakun e vërtetë rreth aksidentit. Nga ana tjetër, sipas mjekëve, ai do të dalë nesër nga spitali dhe do të transferohet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, deri në përfundimin e hetimeve.
AK: Hetim privat për makinën e aksidentit
TIRANE – Aleanca Kuqezi me anë të një deklarate theksoi dje se kërkon zbardhjen sa më të shpejtë të shkaqeve të aksidentit të një dite më parë në Qafën e Kërrabës, ku u lënduan dhjetëra aktivistë të saj. Të identifikohet sa më shpejt drejtuesi i mjetit Range Rover me targa Tirane, që sipas dëshmitarëve dhe delegatëve të Aleancës është shkaktar i aksidentit të ditës së djeshme, theksohej në deklaratë. AK ka nisur hetim privat për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe sipas saj, mjetet i përkasin institucioneve shtetërore.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU