Aksidenti i eskortës, procedohet shkaktari
Policia e kryeqytetit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj personit që shkaktoi aksidentin e eskortës kryeministrore dy ditë më parë. Sipas policisë, 26-vjeçari Enkel Hoxha, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë, ka humbur kontrollin e mjetit Ford, me të cilin udhëtonte në rrugën e re të Rinasit, pranë degëzimit të Laknasit.
Për pasojë, automjeti i tij është përplasur me një shtyllë metalike në anë të rrugës, duke i ndërprerë rrugën në mënyrë të menjëhershme automjetit Skoda të Policisë Rrugore, i cili ishte pjesë e eskortës së kryeministrit Berisha.
Kjo ka detyruar drejtuesin e mjetit të Policisë Rrugore të devijojë drejtimin e lëvizjes dhe për pasojë ka humbur kontrollin, por pa pasur kontakt me asnjë mjet tjetër, duke dalë jashtë rruge dhe për këtë arsye është aksidentuar drejtuesi i saj, me detyrë ndihmësspecialist i Policisë Rrugore, Gjin Mus Bushgjokaj, 43 vjeç, banues në Tiranë.
Ai është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.