E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, policia bllokon 7 klandestinë afganë



Tentuan hyrjen në tokën shqiptare me një maune mallrash me targa turke. Shqipëria tranzit, destinacioni përfundimtar ishte Italia

Duket se Shqipëria po shihet si pozicioni më i mirë dhe i favorshëm gjeografik për grupet klandestine afgane, që synojnë të emigrojnë ilegalisht drejt vendeve të Perëndimit. Bllokohen nga Policia Kufitare 7 klandestinë afganë, të cilët do përdornin vendin tonë si trampolinë drejt Italisë. Ngjarja ka ndodhur dje, kur nga ana e Policisë Kufitare shqiptare të Kapshticës (Devoll) u ndaluan 7 klandestinët afganë, të cilët po tentonin të hynin në Shqipëri me një maune mallrash me targa turke, për të vijuar më pas udhëtimin drejt Italisë. Grupi i klandestinëve afganë, sipas burimeve zyrtare të Policisë Kufitare, u bllokua rreth orës 13:00, gjatë një kontrolli të ushtruar në një maune me targa turke që kishte si destinacion Tiranën. Nga verifikimet e para të Policisë Kufitare rezulton se grupi i shtetasve afganë do kalonte tranzit për në territorin shqiptar, për të udhëtuar më pas në mënyrë klandestine në drejtim të Italisë. Mësohet se drejtuesi i maunes është shoqëruar në polici, e cila po vazhdon hetimet për lidhjet e mundshme të tij me grupin e klandestinëve afganë. Ndërkohë drejtuesi i automjetit është duke u marrë në pyetje, për të zbardhur lidhjet e tij me ndonjë rrjet të mundshëm në Shqipëri, i cili do t’u mundësonte afganëve kalimin drejt Italisë. Hetimi po vazhdon me marrjen në pyetje jo vetëm të shoferit, por edhe të klandestinëve, me qëllim identifikimin e kontaktit të tyre në vendin tonë. Aktualisht, grupi prej 7 klandestinësh është shoqëruar në ambientet e qendrës GOS, stacionit të kufirit pranë Kapshticës, ndërsa ende nuk është vendosur për procedurat që do të ndiqen me ta. Por, ajo që është e sigurt për palën shqiptare lidhur me klandestinët e kapur, është riatdhesimi drejt vendit të origjinës. Kjo është hera e katërt brenda këtij viti, që Policia Kufitare shqiptare kap në Kapshticë grupe me emigrantë klandestinë të huaj, të cilët synojnë që të emigrojnë në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›