E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, i riu përplaset në murin e Ambasadës Amerikane

Hyrja e Ambasadës Amerikane në Tiranë

TIRANE – Një 35-vjeçar po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak, pas një aksidenti që pësoi mëngjesin e djeshëm, teksa po udhëtonte me motorin e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit, në Rrugën e Elbasanit, ku Alfred Koçi ka humbur drejtimin e motorit dhe ka ndaluar vetëm pasi është përplasur me traun e Ambasadës Amerikane, duke përfunduar në murin rrethues të rezidencës, pranë rojeve të sigurisë. Protagonisti i ngjarjes ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, me një motor me cilindratë të madhe, nga disheza e Varrezave të Dëshmorëve, në drejtim të kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit. Pikërisht kur po i afrohej Ambasadës Amerikane, 35-vjeçari ka humbur drejtimin e mjetit dhe është përplasur me murin, pa arritur të frenojë në kohë. Në ndihmë të tij kanë ardhur fillimisht rojet e sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë lajmëruar edhe Policinë Rrugore të Tiranës. Për shkak të përplasjes së fortë është shkaktuar alarm në rezidencën diplomatike dhe thuajse i gjithë personeli i sigurisë së brendshme ka dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur. I riu është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Ushtarak dhe, sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është mjaft kritike. Përveç plagëve të shumta, ai ka edhe fraktura në gjymtyrë dhe në brinjë, si dhe shembje në trup që i kanë vështirësuar frymëmarrjen. Ai është shtruar në reanimacion ku mbahet në terapi intensive, por mjekët thanë që ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën. Nga ana tjetër, Policia Rrugore ka nisur procedim penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi është konstatuar se shpejtësia me të cilën po lëvizte 35-vjeçari ka qenë tej normave të lejuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›