Gruaja hidhet nga kati i shtatë, shkak divorci

Spitali Ushtarak
Viktima Shaniko Guga u hodh nga ballkoni i banesës në Kombinat.
Tiranë, 44-vjeçarja përballej me vështirësi ekonomike.
Një grua 44-vjeçare, nënë e dy djemve, i dha fund jetës mëngjesin e djeshëm duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit të katit të shtatë ku banonte. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, në lagjen “Kombinat” në Tiranë, te blloku i pallateve “Derveni”. Viktima është Shaniko Guga, nga Postenani i Skraparit, e cila prej dy vitesh jetonte me qira në zonën e Kombinatit, pasi ishte divorcuar nga i shoqi. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se problemet ekonomike dhe depresive të shkaktuara pas divorcit nga bashkëshorti mund të kenë sjellë vetëvrasjen e nënës 44-vjeçare. Policia e Komisariatit Nr.6 është lajmëruar për ngjarjen përmes një telefonate të mbërritur në sallën operative nga një fqinj i viktimës, i cili po dilte nga pallati në momentin kur dëgjoi një zhurmë të fortë në oborr. Dëshmitari lajmëroi se pa trupin e fqinjës së tij në oborr dhe sipas tij ajo nuk kishte shenja jete. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie dhe, pasi u konstatua se Guga kishte ndërruar jetë, trupi i saj u transportua drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore. Sipas burimeve nga Policia, dyshohet se Shaniko Guga ka pësuar hemorragji të brendshme dhe shembje për shkak të lartësisë së madhe nga ku është hedhur, gjë që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Menjëherë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka kryer verifikimet e nevojshme edhe në apartamentin ku banonte 44-vjeçarja, për të gjetur ndonjë provë që mund të shërbente për shpjegimin e shkaqeve të vetëvrasjes. Më pas është marrë në pyetje edhe djali i saj 20-vjeçar, me të cilin ajo jetonte pas divorcit nga i shoqi. Gjithashtu është pyetur edhe djali i madh, i cili jeton me të atin në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë. Fëmijët e viktimës kanë shpjeguar se e ëma nuk e kishte përjetuar mirë ndarjen nga babai i tyre dhe sidomos faktin që njëri prej tyre do të jetonte me të atin. Por pas divorcit, përveç problemeve ekonomike, asaj i kishin filluar edhe problemet me depresionin, edhe pse shfaqeshin shumë rrallë. Djemtë e viktimës nuk kanë dhënë një version të sigurt për motivet e vetëvrasjes së nënës së tyre, por sipas tyre problemet që ata kanë përmendur mund ta kenë shtyrë drejt këtij vendimi. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, 44-vjeçarja ndodhej e vetme në banesë dhe nuk ka biseduar me asnjë person para se të hidhej nga ballkoni.
Pensionisti në Laprakë
Dy ditë më parë një 63-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit në Laprakë. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës, kur pensionisti Sotiraq Thimi, është hedhur nga kati i katërt i ballkonit në godinën e banimit në Laprakë. Policia e cila shkoi në vendngjarje mësoi se viktima ishte një ish-ushtarak i dalë në lirim për shkak të plotësimit të moshës së pensionit. Nga burimet e policisë, është bërë e ditur se i moshuari është vetëvrarë për arsye se gjatë muajve të fundit po kalonte një gjendje depresive.
ETLEVA DELIA