Xhon Uidhers, lamtumira e një ambasadori

Dy personalitet kanë diskutuar mbi krizën politike dhe kanë shprehur mendim të njëjtë kundër ligjit të SHISH
Ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, zhvilloi dje takimin e fundit me presidentin Topi
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje takimin e lamtumirës me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, i cili është në prag të përfundimit të mandatit të tij.
Takim i cili u zhvillua në orën 11:00 të paradites së djeshme, midis kryediplomatit amerikan dhe kreut të lartë të shtetit, u fokusua mbi bashkëpunimin e dy zyrtarëve gjatë këtyre viteve. Përreth një orë, dy personalitet kanë shprehur konsideratën e tyre për punën e zhvilluar nga njëri-tjetri.
Të pranishëm në këtë takim bëjnë të ditur për gazetën se bisedimet nuk mund t'i shmangeshin temave të nxehta të ditës siç është kriza politike, sherri i fundit në parlament dhe ndryshimet që mazhoranca i ka bërë ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Të dy palët kanë theksuar nevojshmërinë e një zgjidhje të shpejtë të situatës politike, pasi kriza politike nuk kontribuon në të mirën e vendit.
Presidenti i Republikës dhe Ambasadori i SHBA në vendin tonë ndanë të njëjtin qëndrim mbi ligjin e SHISH, duke vlerësuar si të arsyeshme pritjen nga parlamenti shqiptar të mendimit që do të vijë nga NATO dhe më pas të vijohet me miratimin e ligjit.
Ndërsa në një njoftim për mediat, zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në këtë takim, Presidenti Topi i shprehu Xhon Uidhersit mirënjohjen e thellë në emër të shtetit shqiptar për gjithë punën e vyer dhe shërbimin e çmuar diplomatik si përfaqësues i aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë.
"Do të mbetet i pazëvendësueshëm në kujtesën e popullit dhe institucioneve shqiptare për dashurinë, përkujdesjen dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci me një mendësi moderne, të shoqëruar edhe me kontributin e madh në përforcimin e urave të komunikimit dhe miqësisë tradicionale që lidh dy popujt dhe vendet tona", mësohet të jetë shprehur Topi brenda takimit.
Ndërsa ambasadori amerikan, nga ana e tij, e ka falënderuar Kreun e Shtetit për gjithë ndihmesën dhe mbështetjen e pakursyer personale dhe institucionale. "Po largohem nga vendi juaj me kujtimet më të mira për këtë periudhë më tepër se trevjeçare dhe me bindjen se asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar që me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme", tha ndër të tjera Xhon Uidhers.
Në historinë politike të tre viteve të fundit, ambasadori Uidhers do të mbahet mend gjatë për angazhimet e tij për zgjidhjen e situatave të ndryshme në Shqipëri. Përmes deklaratave të drejtpërdrejta, përmes fjalimeve të drejtpërdrejta dhe përmes kritikave për probleme të ndryshme, kryediplomati amerikan është një njeri shumë i angazhuar në aktualitetin shqiptar.
Nga mesi i muajt gusht është parashikuar dhe ceremonia e largimit të ambasadorit aktual me zëvendësuesin e tij. Pas largimit nga Shqipëria, Uidhers, i cili është në prag të pensionit, përmes mediave ka bërë të ditur pak kohë më parë se është duke shqyrtuar mundësinë e daljes në pension dhe lënien e shërbimit jashtë vendit.
KRIZA
Të pranishëm në këtë takim bëjnë të ditur për gazetën se nuk është lënë pa u komentuar edhe tema e "nxehtë" e politikës së ditës. Të dy palët kanë theksuar nevojshmërinë e një zgjidhje të shpejtë të situatës politike, pasi kriza politike nuk kontribuon në të mirën e vendit.
SHISH
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Ambasadori i SHBA në vendin tonë, Xhon Uidhers, ndanë të njëjtin qëndrim mbi ndryshimet në SHISH, duke vlerësuar si të arsyeshme pritjen nga parlamenti shqiptar të mendimit që do të vijë nga NATO dhe më pas të vijohet me miratimin e ligjit.
DEKLARATA E FUNDIT
Uidhers: Projektligji i SHISH, i papranueshëm
Nga Kukësi, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, në deklaratën e tij të fundit për politikën shqiptare, tha se SHBA vazhdon të ruajë të njëjtin qëndrim që kanë shprehur më parë lidhur me ligjin për SHISH.
"Lidhur me Shërbimin Informativ Kombëtar, ajo që unë mund të them është se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i njohur, atë mund ta gjeni edhe në faqen tonë në internet", theksoi ambasadori amerikan.
Sipas tij, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Uidhers tha se Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. "Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh.
Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht. Çfarëdo shërbimi informativ duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda", - tha Uidhers.