E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti me motor, shkon në dy numri i të vdekurve

Elbasan Shkon në dy numri i të vdekurve nga aksidenti me motor, i shkaktuar një ditë më parë, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Bledar Tërtili, 19 vjeç, i cili ka qenë duke udhëtuar me motor bashkë me shtetasin Florenc Hida. Ky i fundit ndodhet ende i shtruar në Spitalin e Elbasanit. Policia ka zbardhur të dhënat e para rreth këtij aksidenti tragjik. Sipas deklaratës zyrtare, motoçikleta e tipit Kavasaki drejtohej nga shtetasi Florenc Hida, 25 vjeç, banues në lagjen ‘Vullnetari’ Elbasan. Ky automjet është përplasur me motoçikletën tip Kinlon, që drejtohej nga Besim Kullaku, 23 vjeç, banues në fshatin Gjergjan Elbasan. Si pasojë e këtij aksidenti, ka gjetur vdekjen e menjëhershme Besim Kullaku, si dhe kanë mbetur të dëmtuar rëndë Elvan Gjyla, 25 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan, dhe Elvis Qosja, 25 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan të cilët kanë qenë të tre në motorin e drejtuar nga Besim Kullaku. Duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore, Elvan Gjyla dhe Bledar Tërtili janë nisur për në Tiranë, por në orët e para të mëngjesit, Tërtili ka ndërruar jetë. Policia deklaron se ka arrestuar në flagrancë Florenc Hidën, pasi ka rezultuar se mjeti motoçikletë, drejtuar nga ky shtetas, ishte i vjedhur dhe ishte pronë e shtetasit F.Muça, 45 vjeç, banues në lagjen ‘5 Maji’ Elbasan. Grupi hetimor ka arritur në konkluzionin paraprak se, shkak për ndodhjen e aksidentit ka qenë mjeti motoçikletë i drejtuar nga shtetasi Florenc Hida, pasi gjatë udhëtimit të tij, ky mjet kishte kaluar në anën tjetër tê rrugës. Gjatë marrjes në pyetje, Florenc Hida ka deklaruar se nuk e njihte personin që ka vdekur dhe se thjesht ka qenë pasagjer i tij. Por çështja është nën hetim. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›