E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare s’pranon akuzat: Jam i pafajshëm

Tiranë Aldo Bare, i cilësuar si kreu i “Bandës së Lushnjës”, ka pretenduar dje para gjykatës pafajësi për akuzat e ngritura nga Prokuroria për Krime të Rënda. Gjatë seancës për parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare nga ana e mbrojtës, i pandehuri Bare, për të cilin akuza kërkoi burgim të përjetshëm, tha se ishte i pafajshëm. Bare nuk pranoi asnjë nga akuzat e Prokurorisë, duke thënë se është i pafajshëm. Ndërsa gjatë fjalës së tij, avokati mbrojtësi i Bares, Vladimir Meçi, argumentoi para gjykatës përse klienti i tij nuk mund të dënohet për krimet e akuzuara nga Prokuroria. Meçi tha se gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, asnjë prej dëshmitarëve të akuzës nuk ka akuzuar Aldo Baren si autor të krimeve, që i ka ngarkuar organi i akuzës. “Asnjë dëshmitar nuk ka vënë gishtin mbi Baren, si autor i ndonjë krimi” - tha avokati mbrojtës i Bares. Sipas tij, gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë konkrete për akuzat ndaj Bares. Madje, Prokuroria nuk ka prova as për pretendimin e ekzistencës së një bande kriminale, për të cilën thotë se është drejtuar nga klienti i tij Aldo Bare. Pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes, që kërkuan të merrej parasysh një element i rëndësishëm, i evidentuar gjatë procesit gjyqësor, siç janë dëshmitarët e akuzës, gjykata vendosi të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit ndaj Alfred Shkurtit, i njohur ndryshe si Aldo Bare. Sipas kryetares së trupit gjykues, Fatmira Hajdari, vendimi ndaj Aldo Bares do të shpallet në datën 23 mars. Dy seanca më parë, përfaqësuesit e akuzës kërkuan nga Gjykata për Krime të Rënda dënimin e Aldo Bares me burgim të përjetshëm, për të paktën katër vrasje, disa tentativa vrasjeje, si dhe vepra të tjera penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Sipas Prokurorisë, Aldo Bare është përgjegjës për krijimin e organizatës kriminale, për vrasjen e Genci Kasharit, Xhevat Demirit, Luan Bilbilit, Nimet Zenelit dhe Masar Aliut, si dhe vrasjen e mbetur në tentativë në dëm të Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar dhe Gramoz Selmanit. Për të gjitha krimet, Prokuroria kërkoi javën e kaluar dënimin e Aldo Bares, me 5 shekuj e 22 vite burg. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›