E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Trashanit, Apeli lë në burg taksistin

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e arrestit, edhe pse Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që lidh Abedin Mulajn me vrasjen e juristes. Provat e vetme, telefonatat me të akuzuarin kryesor

Tiranë Taksisti Abedin Mulaj, i arrestuar nën akuzën e vrasjes në bashkëpunim të juristes Aurora Trashani, do të vazhdojë të qëndrojë në qeli. Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Apelit, e cila vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e Mulajt, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Në një seancë që ka zgjatur vetëm disa minuta, treshja e gjyqtarëve ka rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtës, për ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe caktimin e një mase më të butë sigurie ndaj taksistit. Pretendimet e avokatit mbrojtës, se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me vrasjen, nuk janë marrë parasysh nga gjykata. Mbrojtësi ka argumentuar se Abedin Mulaj, me profesion taksist, ka transportuar nga Aeroporti i Rinasit drejt Tiranës, Romeo Viden me të cilin kishte njohje prej rreth 5 vjetësh, pas telefonatës së ardhur prej tij. Po ashtu, avokati mbrojtës ka pranuar faktin se klienti i tij ka marrë me taksi Viden, pranë Zogut të Zi, më 1 shkurt, ditën e vrasjes së juristes së Autoritetit të Konkurrencës, Aurora Trashani. Përveç transportit me taksi, dhe 2-3 telefonatave, nuk ka asnjë provë tjetër që mund të lidhë taksistin Abedin Mulaj me të dyshuarin për vrasjen e 32-vjeçares. Përfaqësuesi i akuzës gjithashtu ka pranuar faktin se i dyshuari për vrasje ka lëvizur me taksinë e të arrestuarit, duke treguar edhe për takimin që taksisti ka pasur me familjarë e të dyshuarit, menjëherë pasi është kryer vrasja e Trashanit. Për këtë arsye, Gjykata e Apelit ka vendosur të mbajë në qeli taksistin, si i dyshuar për vrasje në bashkëpunim. Juristja 32-vjeçare u gjend e masakruar në banesën e saj më datën 2 shkurt, ndërsa krimi, sipas Prokurorisë, është kryer rreth orës 22:20 të mbrëmjes së 1 shkurtit. Sipas hetimit, rezulton se autori i dyshuar i krimit është 47-vjeçari, Romeo Vide, rezident në Gjermani, me të cilin viktima ishte njohur në rrjetin social Facebook, duke krijuar edhe një lidhje dashurore mes tyre. Arsyeja e krimit të rëndë, sipas akuzës, ishte vendimi i Trashanit për t’i dhënë fund lidhjes së tyre. Dyshohet se emigranti ka shkuar në banesën e saj dhe e ka qëlluar 60 herë me thikë, ndërsa më pas ka tentuar të fshehë gjurmët e krimit, duke i vënë zjarrin viktimës. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›