E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti me motor, vdesin dy kushërinjtë

ELBASAN-Ishte kthyer nga emigrimi vetëm pak ditë më parë dhe priste të martohej në 6 janar, por shpejtësia e madhe me motorçikletë i ka marrë jetën. Bashkë me 25-vjeçarin, ka mbetur i vdekur edhe kushëriri i tij, 23-vjeçar. Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy të rinjve është regjistruar në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në afërsi të lagjes së “Çamëve”, 1 km në dalje të qytetit të Elbasanit. Ngjarja ndodhi rreth mesditës, kur Daut Gjorga dhe Hysni Musta ishin duke udhëtuar tek disa të afërm me një motorçikletë. Teksa udhëtonin me motor kanë tentuar të parakalojnë një mjet të tonazhit të rëndë dhe më pas janë përplasur me pjesën e përparme të një benzi me targa të Gramshit, i drejtuar nga shtetasi Behxhet Guxi. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme 25-vjeçari Daut Gjorga dhe është shoqëruar në gjendje të rëndë në spital Hysni Musta, 23-vjeç. Ndërkohë që për 25-vjeçarin nuk ka pasur asnjë shpresë jete, kushëriri ka mundur të jetojë vetëm dy orë më shumë. Edhe pse mjekët janë përpjekur për të ndalur hemorragjinë, 23-vjeçari ka gjetur vdekjen, duke e çuar në dy numrin e viktimave të këtij aksidenti. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes konfirmoi se aksidenti ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit nga ana e motorçiklistit si dhe shpejtësisë tej normave të mjetit tjetër. Daut Gjorga, sipas burimeve zyrtare, vetëm një natë më parë kishte qenë tek e fejuara e tij dhe në 6 janar do të martohej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›