E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e energjisë transferohet në 2008

Pas një viti terri që po lemë pas, edhe në 2008 shpresat për të pasur më shumë drita janë ta pakta. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi gjatë një daljeje për mediat gjatë ditës së djeshme, nuk ka dhënë asnjë detaj për kufizimet që do të aplikohen në vitin 2008. Bojaxhi ka bërë të ditur se, është përmirësuar situata hidrike, por konsumatorëve i intereson të dinë se sa do jenë orët e tyre me drita, që për vitin 2007 kanë qenë të pakta. Nga ana tjetër Bojaxhi ka deklaruar se Fierza duhet mbajtur në nivelin e 285 metrave. Kjo do të thotë që sërish të punohet me kapacitete minimale dhe duke furnizuar qytetarët me energji nga importi. Viti 2008 tashmë po troket dhe kufizimet e energjisë do të jenë pjesë shoqëruese të një krize të gjatë, që edhe reshjet e shumta duket se nuk kanë për t’i sjellë asnjë përmirësim.
***
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar ka pësuar një humbje prej rreth 200 milionë dollarë gjatë vitit 2007, ndërsa vendi në pjesën më të madhe të kohës ka mbetur pa energji. Sipas FMN-së shkaku kryesor është në fakt arkëtimi, që është më i ulëti në rajon. “Në Shqipëri vetëm 50 për qind e asaj që përdoret, paguhet. Në vendet e tjera problematike të rajonit kjo shifër është 75 për qind. Kështu që duhet të bëhet shumë për të rritur arkëtimin. Por edhe nëse niveli i arkëtimit do të ishte shumë i mirë, me tarifat e tanishme prapë do të kishte humbje të mëdha. Për 2007-ën llogarisim se KESH ka pasur humbje prej 20 miliardë lekë, të cilat duhet të financohen diku, pasi nuk ka para` falas. E vetmja rrugë për të mënjanuar këto humbje është të rriten tarifat, të paktën tek kostoja. Dhe këtë e kemi kërkuar me ngulm”,- ka bërë të ditur FMN. Sipas Fondit, sërish në KESH një pjesë e madhe e energjisë vidhet, duke vënë nën përgjegjësi drejtimin e KESH për situatën që paraqitet si e përmirësuar, në një kohë që nivele të tilla humbjesh janë kritike për çdo kompani që operon në treg.
***
Edhe për vitin 2008 orët e furnizimit me energji pritet të jenë të pakta ndërsa ato do të zëvendësohen, si edhe në vitin aktual, me orët e territ. Kostoja e rritur e biznesit vazhdon që të pasqyrohet në çmimet e rritura të mallrave në treg, ndërsa nga ana e KESH duket se e vetmja arritje është niveli i Fierzës që ka arritur 285 metër dhe ky tashmë mbetet objektivi. Shqiptarët duhet që të jenë të kënaqur me nivelin e ujit në Fierzë në një kohë që ky nivel, sipas të dhënave të deritanishme, nuk siguron dot më shumë energji pa ndërprerje sesa për festat e fundvitit. Madje KESH lajmëron me gëzim se do të ketë energji 24 orë për datën e ndërrimit të viteve, duke i shtuar më shumë vlerat festës, kur energjia nuk ka munguar as në vitet e luftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›