Viti i Ri, familja e varfër që nuk ka festuar kurrë
Dera pa bravë e kioskës së sajuar të familjes Sylejmani, te zona e Brrakës, rri e hapur dimër e verë. Pamja e pragut të saj të lajmëron se padroni i kësaj shtëpie është varfëria. Kasollja e vogël strehon plot 15 anëtarët e familjes Sylejmani, të cilët kurrë nuk e kanë festuar Vitin e Ri. “Ditët e festave janë më të vështirat, për ne dhe fëmijët tanë”,- tregon kryefamiljari, Gëzimi Sylejmani. Nuk ka shpresë që ndonjë gjë do të ndryshojë në natën e ndërrimit të viteve, nga netët e tjera të dimrit të ftohtë, për familjen e tyre. Rrezik, do të jetë dhe më e trishtueshme se netët e zakonshme”,- shprehet Gëzimi. Ndërsa të gjithë festojnë, 15 anëtarët e kësaj familjeje do të jenë të detyruar të flenë. Arsyeja është e thjeshtë: Nuk kanë se çfarë të shtrojnë në tryezë. “Le ta festojnë ata që kanë, festat janë për të pasurit”,- na thotë e motra e tij. E shpreh në fytyrë dhimbjen që ndjen për fëmijët e shtëpisë. Ka ditë që nuk i sheh në sy. Ndihet në faj. “Më kërkuan t’i sillja gjyshin e Vitit të Ri, por duhen shumë lekë dhe s’kam mundësi”,- thotë ajo. Dhe ka të dejtë, pasi ata mezi mbahen dhe dhurata sado e vogël për këta fëmijë, është një luks i tepruar. Por blerja e dhuratave për këtë vit, sipas kryefamiljarit, bëhen më të paprekshme për ta, kur dihet që çmimet kanë njohur një rritje stratosferike. Kjo është arsyeja pse Gëzimi nuk do t’ia dijë për Vitin e Ri.
Mjerimi
E presim ndarjen e viteve me tavolinën bosh. Kjo është fjalia që i del nga goja në momentin e parë që takon të njohurit. “Jemi të detyruar të flemë mes lagështirës dhe etheve pafund që ofron baraka”,- thotë Gëzimi. Ai ka një jetë që merret me shitjen e rrobave të përdorura dhe asnjëherë nuk e ka festuar Vitin e Ri. Ai tregon se gati gjysmën e fitimeve i shpenzon duke blerë ilaçe. “Jetesa në Tiranë është shumë e vështirë”,- rrëfen 35-vjeçari, duke shtuar më tej se jetojnë në një dhomë e një kuzhinë. Vajza e tij është ndër nxënëset më të mira të klasës. Vetëm gjysmën e librave ka arritur t’i sigurojë për këtë vit shkollor. Gjysmën tjetër e ka huazuar nga fëmijët e lagjes. Banorët e Brrakës ia qajnë hallin kësaj familjeje. “Që të gjithë punojnë dhe ndjejmë keqardhje për këtë, sepse gjendja e tyre ekonomike sa vjen dhe keqësohet”,- thotë komshiu i tyre, Hamiti. Strehën e vogël ua ka lënë për ta shfrytëzuar një komshi bujar, por pavarësisht se kanë kohë që jetojnë, ajo nuk është e tyre. Janë vendosur në vitet ‘70 në një kioskë te “Brraka” dhe gjendja e tyre është po ajo, përveç rritjes së numrit të anëtarëve. “Kemi 40 vjet që jetojmë dhe punojmë këtu, duke pritur që një ditë të blejmë një shtëpi tonën, por e kemi pasur të pamundur”,- thotë kryefamiljari, Gëzim Sylejamni. Marrja e ushqimeve me listë është dëshmi e qartë e varfërisë ekstreme që ka pllakosur në këtë familje. Megjithëse qeveria “Berisha” pati shpallur kohë më parë “Skemën e kafshatës”, ata nuk kanë mundur të sigurojnë bukën e gojës, duke shtuar në këtë mënyrë listën e gjatë me borxhe në dyqanet ushqimore. Kështu, kjo familje është vetëm njëra nga qindra familjet në Shqipëri, që s’do kenë mundësi të festojnë ndërrimin e viteve.
Tregtia pa fitim
Grumbulli i rrobave të shpërndara tek Lulishtja e Brrakës janë të Gëzim Sylejmanit. I blen me çmim të vogël dhe i shet po lirë. Janë rroba të përdoruara. “I lajmë për t’u dukur sa më të reja”,- thotë kryefamiljari, duke thënë më tej se fitojnë shumë pak. Kohët e fundit, ky lloj biznesi ka njohur rënie. “Ka pak njerëz që preferojnë të blejnë rroba të përdorura”,- thotë ai. Ndërkohë, për të përballuar kërkesat e ditës kjo familje merr artikuj në dyqan me listë. Çmimet e larta e detyrojnë këtë familje t’i drejtohen dyqaneve ushqimore dhe të kërkojnë ushqime me listë. Siç shprehet vetë shitësi, çdo ditë vijnë për të tërhequr ushqimet më të domosdoshme dhe në mungesë të parave, nënshkruajnë në fletoret që tashmë janë mbushur plot me emra. “Kur sigurojnë ndonjë lek, vijnë të shlyejnë borxhet që kanë, por unë e di që pas disa ditësh do të vijnë sërish të kërkojnë të shkruajnë emrat në listë”,- shprehet shitësi. Ai shton më pas, se në fletore ka edhe borxhe 2-vjeçare të kësaj familjeje, për të cilat e ka hequr shpresën se do t’i marrë ndonjë ditë”. Të vendosur në këtë zonë të Tiranës, familja Sylejmani shpresonte se këtu do të gjente parajsën e pritur, ndërkohë që shpresat për një jetë më të mirë thuajse janë venitur. Ajo që të bën përshtypje në lagje, është se mjerimi dhe luksi bashkëjetojnë shumë pak metra larg njëri-tjetrit. Sheh vila disakatëshe, të ndërtuara e mobiluara mjaft bukur, por edhe kasolle të vjetra, që fusin brenda atë çka bie jashtë. Pikërisht, kjo simbiozë e çuditshme hedh çdo ditë shtat në këtë lagje. Gjendjes së mjerueshme ekonomike i shtohen edhe problemet e përditshme që kanë të bëjnë me vështirësitë në furnizimin me ujë të pijshëm, të cilat e rëndojnë sa s’mban më pragun e derës së kësaj familjeje.