E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi, jepen 4 çmime për gazetarët e Shëndetësisë

Konkursi për gazetarët më të mirë që kanë mbuluar problemet e Shëndetësisë është finalizuar ditën e djeshme. Kështu, për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar konkurs për problemet e shëndetësisë dhe ndau 4 çmime, për 3 gazetarë dhe 1 emision televiziv. Gazeta “Shekulli” u vlerësua me çmimin “Për shkrimin më të mirë për vitin 2007”. Ky çmim u dha për shkrimin e trajtuar nga gazetarja, Eglantina Bardhi, me titull “Spitalet, mbi 80% e drejtorëve janë pa kualifikime menaxhimi”. Në shkrim trajtohet problemi i mungesës së kualifikimeve dhe aftësive menaxhuese të drejtuesve të spitalit. Gjithashtu për median e shkruar është vlerësuar me reportazhin më të mirë gazetarja, Esmeralda Keta, në “Gazetën Shqiptare”. Sa i takon medias vizive u përzgjodh si gazetarja më e mirë, Erida Gjermeni, e Televizionit “Vizion Plus”. Ndërsa me çmimin e “Emisioni më i mirë”, Ministra e Shëndetësisë vlerësoi emisionin “Fiks Fare” në Top Channel. Ndërkohë, ministri Ndoka, gjatë takimit që zhvilloi me gazetarët i falënderoi ata për pjesëmarrjen dhe kontributin që kanë dhënë gjatë këtij viti në pasqyrimin e problemeve dhe arritjeve në fushën e Shëndetësisë, për informimin e publikut. Fituesit janë përzgjedhur nga një juri e përbërë nga 5 anëtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Çmimet
Gazeta “Shekulli”- Shkrimi më i mirë
“Gazeta Shqiptare” - Reportazhi më i mirë
Top-Channel me “Fiks Fare”- Emisioni më i mirë
Vizion Plus- Kronika më e mirë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›