Përplasje me armë në qendër të qytetit, 3 të plagosur
LEZHË- Tre persona janë plagosur paraditen e djeshme në qendër të qytetit të Lezhës pas një përplasjeje me armë. Anëtarë të dy fiseve kanë nxjerrë armët në mes të qytetit dhe kanë filluar të qëllojnë pa pushim ndaj njëri- tjetrit. Policia ka arrestuar tre të plagosurit si dhe Xhevahir Ndokën me akuzën e tentativës së vrasjes. Burimet zyrtare të policisë së qytetit pohuan se motivi i kësaj përplasjeje me armë është një sherr i nisur për një femër.
Burime të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14. 20 minuta të ditës së djeshme. Makina tip benz ku udhëtonte shtetasi Gjergj Ndoka është gjendur përballë makinës tjetër me të cilën udhëtonin Sokol Nikolli dhe Hektor Kola. Me tu afruar pranë njëri – tjetrit, të rinjtë kanë nisur të qëllojnë pa pushim. Madje ata kanë ndaluar edhe makinat e kanë marrë pozicione “luftimi”. Në këtë moment,kalimtarët e rastësishëm janë strukur nëpër qoshet e bordurave duke u shtrirë barkas e fshehur pas makinave që ndodheshin në shesh për t’i shpëtuar plumbave. Pas disa minutash, krismat e armëve kanë pushuar pasi Gjergj Noka, Sokol Nikolli dhe Hektor Kola kanë mbetur të plagosur. Sipas policisë, në konflikt mendohet të jenë përfshirë të paktën gjashtë persona, por deri tani janë identifikuar vetëm tre prej tyre, ata që kanë mbetur të plagosur rëndë.
Pas ngjarjes dhe mbetjes së plagosur të tre shtetasve, policia e Lezhës ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pas marrjes së të dhënave operative ka shkuar më pas në spitalin e Lezhës e atë të Tiranës për të marrë në pyetje të plagosurit. Ndërkohë, pak minuta më pas ka identifikuar dhe arrestuar edhe Xhevahir Ndokën si pjesëmarrës në konfliktin me armë. Nga hetimet e para të policisë është mësuar se motivi i kësaj ngjarjeje është sherri i nisur për një femër. Rreth një javë më parë nipërit e dy fiseve janë zënë me njëri- tjetrin. Konflikti është thelluar edhe më shumë e për këtë arsye dje paradite janë takuar fiset për të sqaruar gjërat dhe për të bërë paqe. Por edhe në këtë takim tonet janë ngritur më shumë se normalja dhe në fund të tij të dyja fiset kanë dalë më të nxehur me njëri- tjetrin se sa kur kanë hyrë. Por kur janë takuar sërish, këtë herë rastësisht në qendër të qytetit, pranë përmendores së Skënderbeut, ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit. Burime të policisë së Lezhës pohuan se në vendin e ngjarjes kanë gjetur një sasi rreth 25 gëzhoja pistolete tip TT. Ndërsa janë sekuestruar edhe mjetet që kanë përdorur palët në konflikt. Nga hetimet pritet që të dalin në skenë edhe emrat e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në konfliktin e armatosur.