Të paraburgosurit tentojnë arratinë nga izolimi
KORÇË- Një tentativë e dështuar për arratisje nga dhomat e paraburgimit është kamufluar si një sherr dhe zjarrvënie mes të burgosurve. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në dhomat e izolimit Korçë dhe arratisja është shmangur vetëm në sajë të ndërhyrjes së policëve. Gjithçka ka nisur si një revoltë dhe zjarrvënie e qëllimshme në dhomat e paraburgimit teksa një grup të paraburgosurish kishin përgatitur planin e arratisë. Ata kishin zgjedhur pragun e Vitit të Ri dhe pikërisht të shtunën si ditën më të favorshme, kur dhe forcat e policisë janë më të pakta në numër.
***
Shpërthimi i situatës së pazakontë në qelitë e paraburgimit në komisariatin e Korçës ka ndodhur rreth orës 17.00 të ditës së djeshme. Në fakt situata është krijuar pas një indinjate që ka pasur një i paraburgosur nga Pogradeci, emri i të cilit nuk bëhet i ditur dhe që mendohet të ketë probleme mendore, ndërsa më pas gjithçka ka precipituar në mënyrë të befasishme. Të burgosurit që kanë nisur të hedhin fyerje dhe sharje nga më të ndryshmet sa ndaj njëri-tjetrit, por dhe vetë policëve kanë shkaktuar një konfuzion dhe gjendje alarminë komisariatin e Korçës për ndonjë shpërthim të dyerve të qelive, ndonëse ato gjenden në masa të shumta sigurie. Të frikësuar, efektivat e policisë, kanë mbipopulluar korridoret për të qenë në gatishmëri në rast të hapjes së ndonjërës prej dyerve.Ndërkaq, njëri prej të burgosurve, me anë të një çakmaku i ka vënë flakën rrobave të tij, ndërsa tymi ka tmerruar blutë, por dhe vetëtë burgosurit që kanë nisur të kërkojnë ndihmë për të mos u djegur të gjallë brenda mureve të qelive të tyre që janë mbushur menjëherë me tym.
***
Menjëherë policia lokale ka njoftuar zjarrfikësit për situatën e krijuar. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mjetet zjarrfikëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas nisjes së flakëve. Ato kanë nisur që të shuajnë flakët nga jashtë dhomave të izolimit dhe në asnjë moment nuk janë hapur dyert e qelive. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se ndërhyrja e nevojshme e tyre është bërë nga disa dritare të vogla një pjesë e të cilave ka dalë në tokë, për të fikur zjarrin. Gjithçka është eliminuar në kohë nga ana e zjarrfikësve, ndërkohë që vetëm më pas qetësia ka mbërthyer dhomat e paraburgimit që janë vizituar nga forca të shumta policie. Efektivat e policisë kanë nxjerrë më pas një nga një të gjithë të burgosurit dhe kanë nisur që të kontrollojnë qelitë për sende të ndaluara. Sendet e gjetura janë të shumta por nuk është zbuluar gjatë kontrollit ndonjë mur i hapur që të vërtetonte versionin e arratisjes masive në prag të festës së ndërrimit të viteve. Pas qetësimit të situatës është shtuar kontrolli por dhe efektivat e policisë në komisariatin më të madh të juglindjes, ndonëse situata tek të paraburgosurit paraqitet e qetë. Xhon Baka
Hetime organizatorëve të arratisjesKORÇË- Një grup i posaçëm hetimor është duke u marrë me ngjarjen e rëndë që për fat të mirë ka përfunduar pa pasoja në njerëz, apo arratisje të të paraburgosurve. Ngjarja e rëndë dyshohet se është organizuar prej kohësh nga të paraburgosurit për të provokuar një arratisje masive. Ata kishin planifikuar të arratiseshin sapo zjarrfikësit tëhynin në qelitë e tyre për të shuar flakët. Në fakt nuk ka ndodhur kështu pasi forcat zjarrfikëse kanë vepruar nga dritaret e vogla duke përdorur bombolat antizjarr me shkumë dhe duke evituar në kohë çdo pasojë të mundshme. Duke iu referuar burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se pas këtij akti që ka ndodhur në qelitë e të paraburgosurve janë marrë masa të menjëhershme nga ana e hetuesve. Ata janë duke marrë në pyetje të paraburgosurit që nisën “sherrin” por ende nuk është mësuar se kush është truri i kësaj tentative për tu arratisur nga dhomat e paraburgimit. Ndërkohë shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të policisë ka nisur hetimet në lidhje me mënyrën se si kanë hyrë sendet e ndaluara në dhomat e paraburgimit të policisë së Korçës.