E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti me vdekje te "Brryli", arrestohet autori



TIRANE - Policia e kryeqytetit ka arrestuar dje në orët e para të mëngjesit, autorin e aksidentit në zonën e "Brrylit", ku një kalimtar 72-vjeçar mbeti i vdekur teksa kalonte rrugën. Burime nga policia thanë se i dyshuari si autor i ngjarjes është Edlir Ruçi, 18 vjeç, i cili pas aksidentit është larguar menjëherë nga vendngjarja. Arrestimi i tij u realizua rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, edhe pse motori i tij tip "Yamaha", me targë TR 889 C, u gjet i braktisur një orë pas aksidentit, në rrugën "Sitki çiço" dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. I moshuari, 72-vjeçar i përplasur për vdekje nga motori që drejtohej nga Edlir Ruçi, teksa po kalonte nga njëra anë e rrugës në anën tjetër. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë rreth orës 14:00, në zonën e njohur si "Brryli" në Tiranë. Edhe pse në atë moment trafiku ishte mjaft i rënduar, 18-vjeçari Ruçi që udhëtonte me motorin "Yamaha", sapo ka përplasur kalimtarin është larguar me shpejtësi, duke u futur në mes makinave të ndaluara në trafik. Ai ka qenë duke lëvizur nga ura e Lanës tek "Brryli", në drejtim të kryqëzimit të Unazës me rrugën "Hoxha Tahsim" dhe aty është futur në mes pallateve, ku ka lënë edhe motorin dhe vetë është larguar në këmbë. Forcat e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes për t'i ardhur në ndihmë personit të aksidentuar, i cili u identifikua më pas në spital. Nexhmedin Dynjaja, 72-vjeç edhe pse u dërgua menjëherë në Urgjencën e Spitalit "Nënë Tereza", nuk mundi t'u shpëtojë plagëve të marra nga përplasja e fortë dhe ndërroi jetë brenda pak minutash. Autori u arrestua me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›