Trafikoi kokainë, në gjyq 39-vjeçari
TIRANE - Prokuroria për Krimet e Rënda mbyll hetimet për një 39 vjeçar të akuzuar për trafikimin e 2.6 kilogramëve kokainë. Pak ditë më parë dosja në ngarkim të Eduart çelës u dërgua për gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas prokurorisë çela akuzohet për "trafikim të narkotikëve në bashkëpunim, më shume se një herë". Dosja në ngarkim të tij do të gjykohet tek Krimet e Rënda nga një pesëshe gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. Eduart çela u arrestua pak kohë më parë në një postbllok policie nëpërmjet Fushë Krujës dhe Tiranës. Dy orë para prangosjes ai pa iu bindur urdhrit të një patrulle policie rrugore në Lezhë për të ndaluar, teksa po lëvizte në drejtim të Tiranës. Për shkak të mosbindjes dy automjete policie i janë "qepur" pas. Ndërkohë ishin lajmëruar postblloqet e tjera të policisë. Në hyrje të Tiranës atij i është bllokuar kalimi. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur sasia e lëndës narkotike e ndarë në 5 pako. Bëhet e ditur se pesha e saj në total ishte 2 kilogramë e 624 gramë. Gjithashtu çelës iu sekuestruan edhe 3 aparate telefoni celularë, një shumë prej 36 mijë lekësh dhe 900 euro si dhe mjetin tip "Kia Sportage". Sipas prokurorisë, dyshohet se droga kishte ardhur nga Mali i Zi. ar.ba