E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surprizon Shkumbini, eliminon kryesuesit



Dinamo nuk e ka përmbushur objektivin që ka vënë presidenti Besnik Sulaj, i cili në 60-vjetorin e themelimit të klubit ka kërkuar marrjen e të dy trofeve, Kupës dhe Kampionatit. Surpriza e ka emrin Shkumbin, që duket se këtë sezon për kryesuesit e Kategorisë Superiore është kthyer në një “mace e zezë”. Jo vetëm sepse dje ka fituar në “Qemal Stafa” dhe ka arritur për të dytin sezon radhazi turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, por sepse ka treguar që kur do nuk bën “për burrë” asnjë kundërshtar, pavarësisht pozicionit dhe forcës që mund të ketë gjatë sezonit një ekip. Dhe Dinamo e hasi dje këtë gjë, teksa ka bërë ndeshjen e saj më të dobët të sezonit. As më pak e as më shumë, por blutë dje nuk e kanë pasur fatin e mirë që ta zgjidhin ndeshjen, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë sezonit, me një rast të vetëm. Sepse kanë pasur përballë një kundërshtar të mbledhur mirë në mbrojtje e në mesfushë, që mbulonte me fanatizëm të gjitha pikat e forta të bluve, por dhe që kundërsulmonte rrezikshëm. Me të gjithë këta elementë, peqinasit i kanë nxjerrë jashtë loje djemtë e Muçës, ata që nesër do të jenë kampionët e rinj të Shqipërisë. Dhe kanë të drejtë të krenohen, sepse kanë eliminuar Dinamon, në një sfidë të cilën e kanë cilësuar një finale të parakohshme.
Formacionet – Dinamovitët kanë luajtur me sistemin 4-3-3. Në mbrojtje rreshtoheshin: Putinçani në të djathtë, Pisha e Malakarne në qendër dhe Delmonte në të majtë. Në mesfushë Soza në të djathtë, Allmuça në qendër dhe Diob në të majtë. Në sulm Sefa në qendër rrethohej nga Vila në të djathtë dhe Bakaj në të majtë. Peqinasit e Daiut janë kundërpërgjigjur me 4-4-2. Në mbrojtje Krasniqi në të djathtë, Ferizoviç e Mujdragiç në qendër dhe Pasha në të majtë. Në mesfushë çaushaj në të djathtë, Shenaj e Sekseni në qendër dhe Gjyla në të majtë. Kurse në sulm Mustafaj e Bakiu.
Ndeshja – Peqinasit, edhe duke aplikuar mbrojtjen me katër në vijë, i kanë gjithnjë nën kontroll sulmuesit dinamovitë. Sefa mbulohej si nga Ferizoviç, ashtu edhe nga Mujdragiç. Bakaj kishte “roje” Krasniqin, ashtu sikurse dhe Vila, apo Soza. Dhe dinamovitët janë të mpirë. Madje peqinasit me Mustafajin janë të rrezikshëm në kundërsulm, teksa sulmuesi i Shkumbinit është problematik për mbrojtjen dinamovite në tërësi, por dhe për kapitenin Pisha në veçanti. Kësisoj blutë, duke mos gjetur hapësirat e nevojshme në mbrojtjen peqinase, detyrohen të vijnë deri në zonën e tyre për ta marrë, për ta përpunuar topin e për të kaluar më pas atë në sulm. Veçse bluve, si zakonisht, jo vetëm që u ka munguar loja nga krahët, por dhe atëherë kur topat janë harkuar, asnjëherë nuk kanë gjetur Sefën, i cili në çdo luftim ajror ka dalë i humbur. Edhe Timpanaro në pjesën e dytë nuk i ka dhënë ndonjë shkëndijë sulmit blu, në një kohë që dhe Vila ka ndeshje që është jashtë formës sportive. Peqinasit gradualisht fitojnë terren, kurse dinamovitët humbasin qetësinë, aq sa del në pah dhe konfrontimi i Bakajt me futbollistët e Shkumbinit. Bakiu i ka vënë “vulën” shkërmoqjes së skuadrës dinamovite, që dje ka treguar se ka rënë në “gjumë” të thellë, që zor se e çon njeri.

Dinamo–Shkumbini 0-1

Shënues: Bakiu 90’
Kartonë të verdhë: Allmuça, Diob, Sefa/I.Sekseni
Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha, E.Biçaku (Tiranë)
Dinamo: Kotorri, Malakarne, Allmuça, Soza (Timpanaro 63’), Pisha, Bakaj, Putinçani, Delmonte, Diob, Sefa, Vila Trajner: Sh.Muça
Shkumbini: Bejte, Shenaj (Balliu 90’+2), Krasniqi, çaushaj, Mujdragiç, Bakiu, Pasha, I.Sekseni, Ferizoviç, Mustafaj (Lluca 88’), Gjyla Trajner: P.Daiu
Deklarata
Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos: “Ndodhi ajo që jemi eliminuar dhe nuk ishte e thënë që ne të vazhdonim edhe në Kupën e Shqipërisë. Shkumbini u mbrojt shumë mirë, nuk u impenjua për gjë tjetër. U mundua të na ulte ritmin edhe me dëmtimet, apo me shtrirjet në fushë për të vonuar lojën. Lojtarët tanë nuk dolën nga loja, por fusha ishte problematike për të qarkulluar topin”.
Ali Dyrmishi, president i Shkumbinit: “Të them të drejtën, unë sivjet kam nisur ta financoj Shkumbinin. Skuadra është shumë kompakte dhe të gjithë kanë besim te njëri-tjetri. Për ne ky takim ishte si finale, në një kohë që jemi kualifikuar përballë skuadrës më të mirë të kampionatit, Dinamos. Ne sot vërtetuam që nuk jemi skuadër e baltës, por dimë të luajmë edhe në terren të thatë. Tani i kemi të gjitha shanset për ta marrë Kupën”.

Kupa e Shqipërisë

Turi çerekfinal
Tirana – BESA 4-2 (0-2)
Dje
Dinamo – SHKUMBINI 0-1 (1-2)
VLLAZNIA – Skënderbeu 4-0 (0-0)
Sot, 13:30
Teuta – Gramozi (1-1)
Gjyqtar: Bardhyl Pashaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›