E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesi ironizon: Nuk jemi Reali



Barcelona është skuadra favorite e Ligës së Kampioneve. Kampionët e Evropës luajnë sot në stadiumin “Kamp Nou” për të mbyllur llogaritë përfundimisht me skuadrën gjermane të Shtutgartit, e cila në ndeshjen e parë në shtëpi i befasoi katalanasit me një barazim 1-1, rezultat që mban në tryezë të hapur çerekfinalistin e kësaj përballjeje. Kampionët e Spanjës vijnë në këtë takim pas një fitoreje të bindshme në kampionat kundër Valencias, ku protagonisti kryesor i asaj sfide ka qenë i përhershmi Lionel Mesi, i cili dhuroi spektakël duke realizuar tre gola fantastikë. Përsa i përket takimit të sotëm, fantazisti katalanas, Mesi, ka paralajmëruar ekipin kundërshtar që të mos i shohin sikur të jenë Reali i Madridit, pasi potenciali i tyre ka ndryshim rrënjësor. “Kjo përballje na vë para përgjegjësive të mëdha, për arsye se e dimë që në futboll mund të ndodhë gjithçka, por jo kundra nesh, prandaj dua të theksoj dhe njëkohësisht të paralajmëroj ekipin që të tregohen të vëmendshëm në këtë sfidë vendimtare, në mënyrë që t’u mbyllim gojën kritikëve tanë. Meqë kemi fatin ta vendosim fatin tonë në ‘Kamp Nou’, atëherë pse të mos u tregojmë kundërshtarëve edhe favoret tona, në mënyrë që të mësojnë se çfarë do të thotë të ndeshesh në shtëpi të katalanasve?! Dua t’i bëj të ditur Shtutgartit se ne nuk jemi Reali i Madridit”, - deklaroi lojtari më i mirë i botës, Lionel Mesi, i cili synon t’i japë bordit drejtues edhe një bonos prej 3.3 milionë eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›