“Të mbyllim llogaritë me grekët!”
Në pritje të ndeshjes së kthimit me Olimpiakosin, skuadra e Bordosë, po përjeton momentin më të vështirë të sezonit, sepse në kampionat është rihapur lufta për titull dhe tashmë janë plot 6 skuadra që pretendojnë titullin kampion. Mbase një gjë e tillë mund të përbëjë një shqetësim për Bordonë edhe në Ligën e Kampioneve, por kapitenit Alu Diarra kërkon të përfundojë me sukses atë që nisi në Athinë tri javë më parë. “E pranoj se ky është një moment shumë delikat për ne, të cilin mund ta kalojmë vetëm duke qëndruar të bashkuar. Mbi të gjitha, duhet të qëndrojmë të qetë nga aspekti psikologjik, të jemi më të vëmendshëm në momentet e rëndësishme të takimeve dhe të fillojmë të fitojmë, sepse vetëm kështu mund të kalohet kriza. - vazhdon kapiteni i Bordosë – Realiteti tregon që në kampionat, në ndeshjet e fundit kemi bërë shumë hapa falsë, me të cilat kemi favorizuar rivalët tanë dhe tani po paguajmë pasojat. Nuk dua të kërkoj justifikime, sepse të arrish disa rezultate negative radhazi nuk ka të bëjë me çështje fati. Por Bordoja e vërtetë është ajo që këtë sezon ka mundur skuadra si Bajerni, Juventusi. Për këtë arsye, kundër Olimpiakosit pres të rishoh sërish atë skuadër. E nisim si favoritë këtë përballje, pasi kemi fituar 1-0 në Greqi, kështu që kemi të gjitha kushtet për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Por unë mund të them se, nëse arrijmë të rikthehemi që në këtë ndeshje, ajo skuadër që të gjithë panë në fazën e grupeve sivjet, Bordoja, mund të shkojë në finale dhe pse jo ta fitojë këtë kompeticion”, pohon ai.