Spektakël, Vllaznia bën “poker”
Vllaznia është kualifikuar lehtësisht për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa dje në “Loro Boriçi” ka shkatërruar Skënderbeun, me rezultatin 4-0. Kuqeblutë mposhtën skuadrën korçare në të gjitha drejtimet, duke marrë një kualifikim mëse të merituar, që duket se u jep shkodranëve më shumë besim për vazhdimësinë në Kupë dhe kampionat. Skuadra e Edi Martinit nuk e vuri për asnjë moment në dyshim fitoren, ndërkohë që Skënderbeu ishte larg asaj paraqitjeje që bëri në ndeshjen e kampionatit, pak javë më parë. Në sfidën e djeshme spikati sulmuesi Bekim Bala, bashkë me mesfushorin Ndriçim Shtubina. I pari shënoi dy herë, ndërkohë që kishte vend edhe për golin e mesfushorit dhe gjithashtu mbrojtësit Ervis Kraja. Ky i fundit në pjesën e parë të sezonit ka qenë pjesë e korçarëve. Nga ajo që u pa në fushë, dyshja sulmuese Bala-Haxhibuliç ka funksionuar për mrekulli, duke i dhënë leksion kundërshtarit, që në këto javët e fundit kishte marrë vetëm rezultate pozitive. Ndërkohë nuk ka pritur shumë që të jetë në fushën e lojës, edhe mesfushori anglezi Xhejms Feniks. Pasi ka mbërritur në Shkodër pasditen e së hënës, ai e ka nisur nga stoli ndeshjen ndaj Skënderbeut. Trajneri Edi Martini e ka futur në lojë anglezin në minutën e 64-t, duke zëvendësuar Haxhibuliçin. Mesfushori tregoi një formë të mirë, edhe pse kur u aktivizua rezultati ka qenë në shifrat 4-0.