Aksidenti në Dibër, nxirret i pajetë nga lumi trupi i 19-vjeçarit
Dibër- Një 19-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në ujërat e lumit Drin i Zi teksa trupi i tij është mundur të nxirret vetëm mëngjesin e sotëm.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të së hënës kur viktima Maringlen Halili së bashku me automjetin e tij ka përfunduar në lumë në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi.
Makina tip ‘Benz’ me targa Tirane, 1658, ka dalë nga rruga duke rënë nga 50 metra lartësi për të përfunduar në ujërat e Drinit.
Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka konstatuar se trupi i 19-vjeçarit s’ishte brenda automjetit dhe ka nisur kërkimet gjatë gjithë natës, me ndihmën edhe të banorëve të fshatit. Trupi i 19-vjeçarit është gjetur rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Gradec rreth 2 km larg vendngjarjes.
Sipas familjarëve të Halilit, i riu ishte nisur nga Maqellara në drejtim të Bulqizës. Ndërkohë policia tha se shpejtësia e madhe që po lëvizte automjeti ka qënë edhe shkaku i këtij aksidenti tragjik.
/IDEA/