E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti në Himarë, Berisha: Rregulla dhe kushte të reja për udhëtimet

Mbledhja e sotme e qeverisë ka nisur me një minutë heshtje për 13 viktimat e aksidentit të tragjik në Himarë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë ngushëllimet për familjet e viktimave ndërsa iu uroi shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve. Sipas kryeministrit Berisha është herët të flitet për shkaqet e aksidentit tragjik ndërsa kërkoi një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të tij.

"Është e parakohshme të flitet në mënyrë përfundimtare për shkaun e tij por ajo që ka një rëndësi kapitale është që ministritë e linjës duhet të merren me të gjithë këtë problematik. Ne kemi rregulla të caktuara për udhëtimet e nxënësve, studentëve në dy apo më shumë autobuza por mendoj se është e domosdoshme që pas përfundimit të hetimeve të plota të këtij aksidenti tragjik është me vend të nxirren të gjitha përfundimet në mënyrë që transporti i nxënësve dhe i studentëve të ketë kushte dhe rrugë më të veçanta. Të përcaktohen qartë detyrimet e respektimit të tyre. Natyrisht ajo që ndodhi nuk kthehet por është detyrë e të gjitha institucioneve ta studiojnë rastin konkret për të përcaktuar kushtet dhe rregullat që ndikojnë pozitivisht në parandalimin e tyre” shtoi Berisha.

Ndërsa ka theksur se fjalën e fundit për shkaqet e aksidenti fatal do të jepen nga ekspertët, prokuroria dhe policia rrugore, kryeministri i kërkoi ministrive të linjës të shqyrtojnë marrjen e çdo mase për parandalimin e aksidenteve të tilla në vend.

Gjithashtu kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës të kompletojë në afatin kohor dhe më të shpejtë reformën zgjedhore.
"Mendoj se përfaqësuesit në komisionin e reformës zgjedhore kanë bërë një punë shumë të mirë. Nga një klimë do të thosha mosbesimi ky komision ka funksionuar me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të madh dhe përfaqësuesit e opozitës kanë konstatuar se ne i jemi përmbajtur premtimit tonë" theksoi Berisha.

Ai ka theksuar se mazhoranca i është përmbajtur marrëveshjes së arritur me opozitën ndërsa shtoi se numërimi elektronik kundërshtohet nga ODHIR-i.

“Në fillim ata kërkuan që të kishin inisiativën dhe mendonin se mazhoranca me propozimet e veta do të përpiqej të tërhiqte nga vetja e saj por ne faktuam që kjo nuk është e vërtetë. Ne vlerësuam propozimet e opozitës. Ka një moment ku nuk mund të ketë diskutime dhe kjo është rekomandimi i ODIHR-it. Ky rekomandim lidhur me procedurat elektorinike nuk vjen se përfaqësuesit e këtij organi nuk janë të njohur me moshën dixhitale, përkundrazi ata janë më të njohur përsa i përket zgjedhjeve dhe dixhitalizimit. Mendoj se rekomandimi i tyre është interesi i parë më i madh i opozitës sepse nëse opozita do siguri në zgjedhje ajo nuk mund të vrapojë pas opsioneve të cilat nuk japin sigurinë e plotë, nuk janë të testuara dhe ODIHR-i kërkon që të bëhet një studim pilot. Kjo është në insteres të opozitës dhe shqiptarëve në vend. Numërimi elektronik është një realitet me probleme të pamohueshme që në rastin e fundit u karakterizua me bllokimin e makinerive dhe u nga ndërprerja e energjisë elektrike. Unë mendoj që në zbatim të këtyre rekomandimeve ne të plotësojmë kodin” theksoi Berisha.

Kërkesën tjetër të opozitës për hapjen e materialeve zgjedhore me vendim të dy përfaqësuesve në KQZ, Berisha e quajti kërcënimin më të madh që mund t`i bëhet procesit zgjedhor.

“Kërkojnë një vendim që të merret me dy vota, që do të thotë për të futur zgjedhjet në një proces të pafund. Po ka të drejtë çdo material duhet të hapet, por kjo duhet të jetë gjykata. Ne jemi dakord. Por nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiak, zgjedhjet nuk janë më të qytetarëve.”- tha kreu i qeverisë.

Lidhur me ndryshimin e rregullores se Kuvendi, kryeministri u shpreh se është bërë çdo ndryshim që vjen nga rregullorja e parlamentit evropian. Berisha shtoi se bllokimi nuk është ajo për të cilën kanë nevojë shqiptarët, sipas tij, s`duhen përdorur kërkesat që nuk ekzistojnë në asnjë Kushtetutë tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›