E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti ne Krrabe shoferi humbi kontrollin e mjetit

Një ditë pas aksidentit të Qafë Krrabës drejtoria e policisë së qarkut Elbasan ka nxjerrë rezultatet paraprake pas ekspertizës të kryere lidhur me ngjarjen. Sipas drejtorisë së policisë drejtuesi i autobusit me targë LB 31 56 A, Mitat Biçaku ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë autobusi ka dale nga rruga. Por Sipas policies, do të jetë Porkuroria e Elbasanit dhe ekspertë të pavarur që do të zbardhin plotësisht ngjarjen. Për këtë qëllim është ngritur grupi hetimor në përbërje të të cilit bëjnë pjesë ekspertët më të mirë të fushës. Hetuesit kanë marrë në pyetje shoferin i cili ka pretenduar se ka dëgjuar zhurmë dhe se është goditur nga një automjet, ndërkohë burime nga hetimi  pohuan se ka pak shanse që autobusi të jetë goditur nga një automjet pasi nëse ka ndodhur parakalim i gabuar atëherë ata kanë qenë në të njëjtin sens lëvizje dhe do të ishte automjeti ai që do të binte i pari në greminë. Megjithatë në pyetje janë marrë edhe udhetare në këtë autobus apo dëshmitarë të tjerë okularë. Ekspertët po ekzaminojnë pjesët e autobusit, shenjat e frenimit dhe kutinë e shpejtësisë për të arritur në konkluzionin përfundimtar. Ndërkohë një ditë pas aksidentit po shkon drejt përmirësimit të plotë gjendja shëndetësore e të aksidentuarve gjatë ditës së shtunë në Qafë Krrabë. Aktualisht në spitalin kirurgjik të Elbasanit ndodhen nën kujdesin e mjekëve vetëm 2 nga 31 shtetas që u paraqitën pas aksidentit  për të marrë ndihmë mjekësore në këtë spital. Ata janë Artan Kojku dhe Antonio Faqolli.  Katër pacientët e tjerë që qëndruan gjatë mbrëmjes së kaluar e kanë lënë spitalin në orët e para të mëngjesit të së dielës pasi sipas mjekëve gjëndja e tyre shëndetësore ishte përmirësuar ndjeshëm dhe nuk ishte e nevojshme të qëndronin në spital. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›