E Diel, 1 Nëntor 2026

Autopsia; Vrasësit vranë me plumb në kokë e dogjën trupin e Habazajt



Vrasësit e biznesmenit vlonjat, Genc Habazaj, kanë qëlluar viktimën me plumb në kokë e në gjoks në një distancë të afërt, dhe më pas kanë djegur trupin e tij për të fshehur gjurmët. Ndërkohë që kur është gjetur, viktima kishte më shumë se dy ditë që ishte vrarë. Ditën e djeshme, sipas burimeve, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë ka përfunduar autopsinë në lidhje me ngjarjen e ndodhur para 17 ditëve në qytetin bregdetar të Vlorës. Në trupin e biznesmenit u gjetën dy plagë, ndërkohë që ai kishte dëmtime të shumta në fytyrë e trup. Më pas, atij iu vu flaka nga vrasësi(t), me qëllim për të penguar identifikimin. Por, ai u arrit që të identifikohej nga familjarët prej varëses së floririt që mbante në qafë 39-vjeçari, si edhe nga tatuazhi në trup. Trupi i masakruar i 39-vjeçarit u gjet nga një çoban në periferi të qytetit të Fierit pranë vendit të quajtur "Tokat e fshatit të Sopit". Ndërkohë që në lidhje me ngjarjen vazhdojnë hetimet nga një grup pune në Vlorë, si dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ende nuk ka ndonjë person të dyshuar apo të arrestuar. Hera e fundit që biznesmeni 39-vjeçar Genc Habazaj është parë, ka qenë rreth orës 20:00 të ditës së premte të 28 gushtit në zonën e Ujit të Ftohtë. Të shtunën, 39-vjeçari së bashku me familjen e tij do të shkonin në Elbasan për një ngjarje familjare. Habazaj ka lënë në shtëpi dokumentet dhe makinën e tij dhe ka dalë, për të mos u kthyer. Sipas deklaratave të familjarëve, ata kanë deklaruar se kishin frikë se i afërmi i tyre mund të ishte rrëmbyer. Habazaj prej disa vitesh jetonte në Aquila të Italisë, së bashku me familjen e tij. Ai drejtonte në vendin fqinj një kompani ndërtimi. Firma HG kishte kryer punime publike, ashtu edhe private, në të gjithë Italinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›