Tentoi të vriste babanë e ish-të dashurës, arrestohet nga policia
Kundërshtimi i lidhjes së vajzës me një të ri nga Dibra për pak i ka kushtuar jetën një 50-vjeçari nga Paskuqani. Por, për fatin e tij të mirë ka ndërhyrë në kohë policia, e cila i ka vënë prangat autorit të dyshuar. Ka tentuar të vrasë me pistoletë babanë e ish-të dashurës, por është arrestuar nga policia e Tiranës. Uniformat blu vunë në pranga 25-vjeçarin Ruzhdi Pupla, lindur dhe banues në fshatin Shlli në Qarkun e Dibrës. Ai u kap në flagrancë në Paskuqan, në orët e vona të natës të së mërkurës, ndërsa po konfliktohej me armë me 50-vjeçarin H. I. Sipas burimeve nga policia, i riu kishte pasur një përplasje me babanë e ish-të dashurës së tij, pasi ky kishte kundërshtuar lidhjen me vajzën e tij. I riu u shoqërua në qelitë e paraburgimit, për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Ngjarja
Rreth orës 12:00 të së mërkurës, në sallën operative të policisë së Qarkut Tiranë u morr një informacion në lidhje me një konflikt midis dy personave në fshatin Paskuqan. Menjëherë u organizua operacioni i koduar “Tujani” nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit, Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Burrel. Si rezultat u ndalua shtetasi Ruzhdi Pupla, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shlli, Komuna Macukull në Dibër. I riu ishte emigrant në Greqi dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri. Sipas policisë, të riut iu sekuestrua një pistoletë tip “Zastava 635”, dhe dy fishekë me kapsollë, për të cilën dyshohet se do të kryente krimin. Ai kishte shkuar tek banesa e 50-vjeçarit me iniciale H.I., me të cilin kishte nisur një konflikt. Sipas burimeve nga policia, shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt për motive të dobëta. Sipas burimeve, 25-vjeçari kishte një lidhje me vajzën e H.I. dhe ai kërkonte që të martohej me të. Por, i ati i saj 50-vjeçar nuk ishte dakord që kjo lidhje të vazhdonte më tej dhe i është përgjigjur negativisht kërkesës së 25-vjeçarit nga Dibra, emigrant në Greqi. Kjo ka bërë që marrëdhëniet mes të dyve të tensionoheshin dhe i riu të shkonte në banesën e tij me një pistoletë, me qëllim për ta vrarë atë. Por ndërhyrja në kohë e policisë bëri që ai të ndalohej dhe të binte në pranga. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. I ndaluari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.