E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti në Zvicër, Belgjika përgatitet për kthimin e trupave

Autoritetet belge po përgatiten të kthejnë në shtëpi trupat e 22 fëmijëve dhe gjashtë të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik automobilistik.
Dy avionë ushtarakë të tipit “Hercules” janë vënë në gatishmëri për të kryer transportin, ndërkohë që qeveria belge do të mbajë së shpejti një mbledhje urgjente.
Autobusi ku udhëtonin 52 persona që ktheheshin në Belgjikë pas një turi dimror u përplas me hyrjen e një tuneli ditën e martë.
Nga aksidenti, i ndodhur gjatë natës në kantonin zviceran Valais, 24 fëmijë të tjerë mbetën të plagosur, disa prej të cilëve janë ende në gjendje kritike.
Ndërkohë belgët po mbajnë zi për vdekjen e 28 personave, 22 prej të cilëve fëmijë. Kryeministri belg Elio di Rupo e cilësoi aksidentin si një ngjarje tragjike për të gjithë vendin. “Duke iu referuar shkallës dhe karakterit të veçantë të kësaj drame, si dhe emocioneve që ajo shkakton, qeveria ka vendosur të organizojë Ditën Kombëtare të Zisë”, shpjegoi kryeministri, pa dhënë detaje të tjera.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›