Aksidenti, pagjumësia shkakton një të vdekur dhe tre të plagosur
LUSHNJË – Bilancit tragjik të aksidenteve të kohëve të fundit i është shënuar edhe një ngjarje tjetër, që ndodhi dje, e cila përfundoi me një të vdekur dhe tre të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi dje, rreth orës 10:15 në afërsi të qytetit të Lushnjës, ku gjeti vdekjen një vajzë 21-vjeçare. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se automjeti tip “Benz”, me targa të Tiranës, ka dalë nga rruga në aksin Lushnjë-Zhamë, pikërisht në vendin e quajtur Konjat, duke shkaktuar vdekjen e shtetases Entela Miraku, si dhe mbetën të plagosur Elda Kaleshi, Ilir Kaleshi dhe Harilla Kaleshi. Tre anëtarët e familjes Kaleshi, së bashku me të afërmen e tyre, Entela Miraku, po ktheheshin nga dasma në Gjirokastër në drejtim të Tiranës. Sipas burimeve në grupin hetimor, “dyshohet se ishte përgjumja e shoferit e cila është bërë shkas që makina të dalë nga rruga. Për pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme 21-vjeçarja Entela Miraku. Në aksident mbetën të plagosur shoferi Harilla Kaleshi dhe të afërmit e tij, Elda dhe Ilir Kaleshi. Policia kreu veprimet e para në vendngjarje dhe tha se dyshon por përgjumje të shoferit. Gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur me dhjetëra aksidente, duke shkaktuar një numër të lartë viktimash. Në shumicën e rasteve, në epiqendër të përplasjeve në rrugë kanë qenë emigrantë të kthyer në vendlindje për pushimet e verës.
TË AKSIDENTUARIT
Entela Miraku, 21 vjeçe, e vdekur
Elda Kaleshi, 20 vjeçe, e plagosur
Ilir Kaleshi 18 vjeç, i plagosur
Harilla Kaleshi, 35 vjeç, i plagosur
19 Gusht 2008