Ilir Meta: “Sali Berisha po kërcënon zgjedhjet e vitit 2009”
Shaban Sulçe
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka akuzuar kryeministrin Berisha se me dështimet e qeverisjes së tij dhe me planet e mbrapshta po kthehet në një rrezik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të vitit 2009. Meta tha se Berisha i ka gënjyer shqiptarët kur deklaroi se do të përfundonte sa më shpejt reformën zgjedhore apo se do të shpërndante në kohë kartat e identitetit. Lideri i LSI-së deklaroi se kryeministri Berisha po tenton të riciklojë në vend krizat e mëparshme, duke filluar që nga manipulimi i procesit zgjedhor. “Sali Berisha ka pafytyrësinë e papërgjegjshmërinë të gënjejë për reforma të pakryera në vend apo qoftë edhe për reformën zgjedhore, e cila gjoja do të përfundonte përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht, apo për kartat e identitetit që do të shpërndaheshin deri në fund të vitit të parë të qeverisjes së tij, por që duket qartë se nuk do të jenë gati as për zgjedhjet e ardhshme dhe në këtë mënyrë të vërë në një pikëpyetje të madhe edhe procesin e zgjedhjeve të ardhshme, legjitimitetin dhe integritetin e votës së shqiptarëve, duke rrezikuar realisht riciklimin e krizave të mëparshme në vend”, - deklaroi Meta.
Akuza edhe PS-së
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim akuzoi gjithashtu Partinë Socialiste se po bëhet pjesë dhe mbështetëse e planit të Sali Berishës për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Meta theksoi se lidershipi i Partisë Socialiste po bëhet nënkontraktor i Sali Berishës për të dëmtuar interesat e opozitës, megjithatë ai theksoi se LSI nuk i druhet këtij bashkëpunimi dhe se do të hyjë në zgjedhje për të larguar njëherë e mirë Sali Berishën nga drejtimi i vendit. “Ne nuk i druhemi asnjë lloj bashkëpunimi ndërmjet Berishës dhe lidershipit të Partisë Socialiste, pasi jemi të përgatitur dhe jemi të qartë për të gjitha mundësitë që mund të prodhojë një bashkëpunim i tillë, i degraduar dhe i degjeneruar deri tani, që degjeneroi Kushtetutën e shqiptarëve dhe sakrificat e tyre për të pasur një kushtetutë demokratike dhe europiane dhe që synon të degjenerojë edhe votën e shqiptarëve përmes kulisave që kanë zhvilluar lidershipët e tyre dhe përfaqësuesit e tyre deri tani. Ne kemi vetëm shqetësimin e votës së shqiptarëve dhe kemi shqetësimin që asnjë votë e opozitës të mos shkojë dëm. Por, nëse përfaqësuesit e Partisë Socialiste vazhdojnë të ecin në drejtim të gabuar, ne nuk mund t’i ndalojmë për momentin, por padyshim që do t’ua bëjmë të qartë të gjithë shqiptarëve rolin e tyre si nënkontraktor të Sali Berishës për të dëmtuar interesat e opozitës, interesat e demokracisë, për të degjeneruar votën e shqiptarëve”, - deklaroi kryetari i LSI-së.
Qeverisja
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, lideri i LSI-së, Ilir Meta, komentoi edhe analizën 7-mujore të këtij viti për qeverisjen aktuale. Meta tha se Berisha nuk është gjë tjetër veçse një mashtrues i dështuar, që tenton t’u hedhë sy shqiptarë për të mbuluar të këqijat që ka prodhuar qeverisja e tij e dështuar. Kreu i LSI-së e cilësoi qeverisjen e Berishës si më të dështuarën dhe më negative të 17 viteve tranzicion dhe se ajo do të ndëshkohet me votën e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme.
“Ndaj qeveria ‘Berisha’ futet në vitin e fundit të qeverisjes se saj me bilancin më të dështuar të qeverive të tranzicionit, e kapur thellë nga korrupsioni dhe tashmë si një instrument i bindur dhe i verbër i interesave korruptive. Korrupsioni dhe kasta korruptive që Sali Berisha ka ngritur në sistemin e qeverisjes së tij, ka ndryshuar thelbin dhe misionin e çdo Qeverie, atë të shërbimit ndaj interesave të qytetarëve dhe publikut të gjerë. Berisha dhe qeverisja e tij, sponsorizuar fort nga kasta korruptive dhe autokratike që ka ndërtuar gjatë këtyre tre viteve, shkatërruan edhe sistemin institucional në vend me atentatin që i bënë Kushtetutës dhe institucioneve, duke lënë përfundimisht në kalendar e matrica ato reforma që ka kërkuar prej kohësh përparimi dhe integrimi i mëtejshëm i vendit në NATO dhe në BE”, - tha Meta.
Bello: “Dyshja Berisha-Topalli po keqpërdor RTSH-në”
Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se kanë uzurpuar dhe po keqpërdorin për interesat e tyre personale institucionin e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Bello tha se që prej ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, RTSH-ja për fat të keq është kthyer në një vegël “qorre” të Berishës dhe Topallit, për interesat e tyre propagandistike.
“Në këtë përpjekje antidemokratike, Sali Berisha ka arritur që brenda një harku kohor 3-vjeçar të shkatërrojë tërësisht investimin më të madh të shqiptarëve në fushën e medias elektronike, duke e katandisur televizionin kombëtar në një megafon të tipit Bolshevik, që trumbeton arritjet e shumicës në pushtet dhe godet gjithkënd dhe gjithçka është kundër vijës dhe orientimeve të selisë blu”, - tha Bello. Ai shtoi se RTSH-ja është kthyer gjithashtu në një fushë betejë për shkak të luftës së brendshme në Partinë Demokratike. “RTSH-ja është bërë sot një fushë beteje e luftës së brendshme në PD, ku për shkak të rivalitetit Berisha-Topi-Topalli, dy drejtorë Informacioni janë detyruar të japin dorëheqjen, ndërsa i treti, një militant i thekur i PD-së, po demonstron hapur zellin partiak, duke e kthyer RTSH-në përfundimisht në një megafon të dyshes Berisha-Topalli, të cilët po u marrin frymën institucioneve të pavarura dhe po shkatërrojnë të ardhmen demokratike, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve”, - tha Bello.
19 Gusht 2008