Dosjet e prostitucionit, Drejtësia shqiptare fal tutorët, dënon viktimat
Laureta Rryçi
Drejtësia shqiptare duket më e ashpër me vajzat që trafikojnë trupin e tyre, sesa me tutorët që fshihen pas këtyre trafiqeve. Shifrat zyrtare, që i përkasin vetëm kryeqytetit, nga janari deri në fund të korrikut e tregojnë më së miri këtë fakt. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës pohuan dje se gjatë këtyre muajve janë ndëshkuar 28 vajza për akuzën e prostitucionit dhe vetëm shtatë tutorë për shfrytëzim prostitucioni. Gjatë kësaj periudhe kohore të pakta kanë qenë dosjet që kanë mbërritur për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Lufta ndaj trafikut të prostitucionit nis që te strukturat e Policisë, vijon me hetimet nëpër zyrat e prokurorëve dhe duhet të përfundojë me vendimin e gjykatës. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit shifrat janë më të ulëta për goditjen e këtij krimi.
Hetimet
Kohët e fundit Seksioni i Antitrafikëve në Polici ka qenë më i vëmendshëm për të arrestuar vajzat që ushtrojnë profesionin e prostitutës në Tiranë, sesa “bosët” që fshihen pas tyre. Sipas shifrave, në të shumtën e rasteve duket se agjentët e Policisë kanë qenë të kënaqur më kurorëzimin e ndonjë operacioni me një të arrestuar. Për ta mbyllur më pas dosjen shumë shpjet, duke e kaluar për hetime të mëtejshme në institucionin e akuzës. Mirëpo hetimet e zbehta për të tilla raste kanë vazhduar edhe në fazën e tyre. Vajzat duket se janë mjaft të instruktuara nga tutorët e tyre për të mos treguar asgjë në këmbim të rikthimit të shpejtë të lirisë.
Statistikat
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Gjykatën më të madhe në vendin tonë, në atë të Tiranës, janë dërguar rreth 32 dosje, ku 28 janë për prostitucion dhe vetëm shtatë për shfrytëzim prostitucioni. Sipas vendimeve që janë dhënë, vajzat që ushtronin këtë profesion, në varësi të provave të mbledhura nga prokurori i çështjes, kanë marrë dhe ndëshkimet. Për disa janë dhënë gjoba që t’i paguanin për llogari të shtetit, për të tjerat dënime me pak muaj burg dhe vitet e tjera me kusht që të mos kryejnë asnjë vepër penale. Po kështu edhe për tutorët, në disa raste ka pasur ndëshkime vetëm me burg, por nuk mungojnë edhe vendime me burg dhe me gjobë. Sipas Kodit Penal, ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë, ose deri me tre vjet burg.
Gjykata e lë në burg, akuzohet për trafik narkotikesh
Gjykata e Tiranës vendosi dje të lërë në qeli një person që akuzohet për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".
Gjatë ditës së djeshme në këtë gjykatë u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Indrit Gjolla, 25 vjeç, banues në Tiranë, i arrestuar para tri ditësh me gati 70 gramë bimë narkotike e llojit Canabis sattiva. Pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes dhe prokurorisë, gjykata pranoi kërkesën e kësaj të fundit duke caktuar masën e "arrestit me burg" për
25-vjeçarin Gjolla. Indrit Gjolla u kap gjatë një operacioni antidrogë të organizuar nga Policia e Tiranës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale afro 70 gramë Canabis sattiva, e cila ishte ndarë në 28 pako, 60 ambalazhe plastike boshe që shërbenin për paketimin e drogës, si dhe një telefon celular. Ndërkohë, hetimet për çështjen në fjalë janë fokusuar edhe te zbulimi i bashkëpunëtorëve të mundshëm të të riut në këtë veprimtari të paligjshme.
Takim informal i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të rajonit
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka marrë pjesë dje në një takim joformal të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të rajonit, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi. Ai është takuar me ministrin e Mbrojtjes të Bosnjë-Hercegovinës, z. Selmo Cikotiq; të Malit të Zi, z. Boro Vuciniç si dhe me komandantin i Forcave të NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë, gjeneral major Richard Vajtmen.
Qëllimi i këtij takimi informal ishte rishikimi i mundësive të bashkëpunimit të mëtejshëm mes vendeve respektive, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar edhe marrëveshje të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes. Në këtë kontekst u diskutua për vijimësinë e forcimit të këtij bashkëpunimi. Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka marrë urimet më të mira nga homologët e tij lidhur me nënshkrimin e protokollit për anëtarësim të Shqipërisë në NATO si dhe për ecurinë mjaft pozitive të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ministri i Malit të Zi shprehu gatishmërinë e vazhdimit të një bashkëpunimi edhe më të fortë me Shqipërinë dhe vendet e rajonit, duke dhënë kështu kontribut pozitiv në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më përpjekjet që po bëhen Mali i Zi ka treguar vendosmërinë për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik, si garanci e paqes dhe stabilitetit, ka thënë ai. Nga ana e tij, ministri Oketa është shprehur për një mbështetje madhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si për Malin e Zi e Bosnjë-Hercegovinën, por edhe për këdo tjetër, që aspiron për paqe e stabilitet jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
19 Gusht 2008