Universiteti Ushtarak, nis testimi fizik për një vend ndër 140 kuota
Luan Kondi
Tiranë – Më shumë se 1600 kandidatë filluan konkurrimin dje në testin fizik për një nga 140 vendet në universitetin ushtarak “Skënderbej”. Një pjesë e tyre nuk kanë mundur ta kalojnë provën duke mos grumbulluar 20 për qind të pikëve, që është kusht i domosdoshëm për këtë testim. Kështu që ata nuk do të mund të kalojnë në turin e dytë të kualifikimit, në testin psikologjik.
Testi
Para fillimit te testimit fizik kandidati duhet të ketë me vete certifikatë me fotografi (origjinal) ose pasaportë si dhe origjinalin e rezultateve të testimit shëndetësor. Në fillim të testimit fizik kandidatëve u lexohet ajo pjesë e rregullores që ka të bëjë me procedurën e testimit. Për kandidatët që për çdo lloj arsyeje nuk paraqiten në testimin fizik në datën dhe orën e njoftuar, UUS nuk mban asnjë përgjegjësi për vazhdimin e mëtejshëm të konkurrimit. Testimi shëndetësor dhe fizik do të zhvillohet dhe kur numri i kandidatëve të regjistruar për konkurrim në një degë është më i vogël se kuota e planifikuar për pranim në atë degë. Në testin fizik janë përfshirë ulje dhe ngritje në hekur, kërcim nga vendi, palosje në shpinë, hedhja e topit të basketbollit nga pozicioni në gjunjë, vrapim shpejtësie dhe rezistence etj. Në vështrim të parë këto teste ngjajnë “të lehta”, por ato tregojnë nivelin e përgatitjes fizike të çdo kandidati. Testi është përgatitur nga specialistët përkatës, duke marrë përvojën e shkollave më të mira të botës. Kandidatët që nuk e kalojnë provën e testit fizik kanë të drejtë të ngrenë pretendimet e tyre pranë Komisionit të Ritestimit, i cili i analizon me kujdes rastet dhe, kur e sheh të arsyeshme kandidati student merr ritestim. Përpos kësaj, procesi i testimit fizik monitorohet nga një ekip i shtabit të KDS. Pas kësaj zhvillohet vlerësimi akademik. Ky i fundit organizohet nga universiteti ushtarak “Skënderbej” në përputhje me Rregulloren e Vlerësimit të miratuar nga MASH-i. Koeficientet e vlerësimit akademik për studentet që do të pranohen në Fakultetin e Menaxhimit të UUS janë të njëjtë me atë të Fakultetit Ekonomik të UT-së (të miratuar nga MASH-i). Koeficientet e vlerësimit akademik për studentet që do të pranohen në Fakultetin Teknik të UUS janë të njëjtë me atë të Fakultetit Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike të Universitetit Politeknik (të miratuar nga MASH-i).
Kuotat
Qeveria miratoi pak kohë më parë kuotat e pranimit të studentëve në universitetin ushtarak “Skënderbej”, për vitin akademik 2008-2009. Vendimi i Këshillit të Ministrave mbështetet në nenit 100 të Kushtetutës, neneve 31 e 35, të Ligjit nr. 8461, datë 25.2.1999, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe në propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Kuotat kryesore të pranimit në universitetin ushtarak “Skënderbej” për vitin akademik 2008-2009, do të jenë 140 studentë, nga të cilët 15-20 për qind femra, të ndara 90 studentë për Fakultetin e Menaxhimit, Dega Administrim-Biznes dhe 50 studentë për Fakultetin Teknik, dega Elektronikë.
Box
Kriteret që duhet të plotësojë kandidati për t'u pranuar në UUS
- Të jetë me shtetësi shqiptare ose shtetas të huaj, sipas marrëveshjeve të ratifikuara ose që do të ratifikohen në të ardhmen.
- Të kenë kryer një shkollë të mesme brenda ose jashtë vendit, të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përjashtuar shkollat a arsimit të mesëm profesional 2 dhe 3-vjeçar.
- Të mos jenë të dënuar apo të ndjekur penalisht nga organet e drejtësisë.
- Të jenë të aftë nga ana shëndetësore.
- Të jenë në moshë jo më shumë se 23 vjeç, ditën e fillimit të vitit akademik.
- Të mos jenë më të shkurtër se 1.65 për meshkuj dhe 1.61 për femra.
Lista e shkollave të mesme profesionale e teknike, nxënësit e të cilave, pas përfundimit të shkollës kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në vitin akademik 2008-2009, u komunikohet shkollave të larta nga MASH-i, përpara fillimit të regjistrimeve për konkurrim. Informacionin për kriteret dhe mënyrën e regjistrimit kandidatët e gjejnë të afishuar në ambientet e UUS.
Box
Dokumentacioni për regjistrimin
Para dhënies së provimeve të Maturës Shtetërore
- Kërkesë me shkrim të firmosur nga kandidati për të vazhduar studimet në Universitetin Ushtarak “Skënderbej”, ku ai duhet të deklarojë degën, në të cilën dëshiron të studiojë, Formulari i MASH (Lidhja Nr.1) e cila depozitohet ne sekretaritë mësimore te çdo fakulteti.
- Vërtetim nga drejtoria e shkollës përkatëse që është maturant i kësaj shkolle, ose fotokopje e noterizuar e Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme, në rastin kur e ka përfunduar atë.
-Për kandidatët që kanë mbaruar ose vazhdojnë studimet në shkolla të mesme jashtë vendit ( te njohur nga MASH) dokumentet e mësipërme, duhet të jenë të përkthyera në shqip dhe të noterizuara.
-Certifikatë personale me fotografi.
-Dëshmi penaliteti.
- Mandatet e Arkëtimit
- 2 cope fotografi ne format dokumenti.
3.2. Pas dhënies së provimeve të Maturës Shtetërore
- Fotokopje e noterizuar e Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme.
- Rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore
Box
Në momentin e regjistrimit kandidatit i jepet:
-Udhëzuesi i procedurave te zhvillimit te testimit fizik, shëndetësor dhe pranimeve ne UUS.
-Normat për testin e përgatitjes fizike (Lidhja Nr.2)
-Një dokument zyrtar i nënshkruar nga Dekani i Fakultetit, që përmban numrin rendor të regjistrimit, degën ku është regjistruar. Ky dokument vërteton regjistrimin e kryer.
-Procedurën e regjistrimit si student, kur kandidati shpallet fitues, (kjo i jepet kandidatit në momentin qe dorëzon rezultatet e Maturës Shtetërore)
Box
Zhvillimi i testimit
Vlerësimin e gjendjes shëndetësore
Spitali Universitar Qendror Ushtarak, sipas procedurave të përshkruar në “Rregulloren për vlerësimin e aftësive fizike e shëndetësore të shtetasit dhe të ushtarakut të Forcave të Armatosura” miratuar me urdhër të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes, nr. 381, datë 08.07.2004 dhe Ministrisë së Shëndetësisë, nr. 2252/1, datë 17.06.2004, si dhe Urdhrit të Ministrit Mbrojtjes Nr. 573, datë 16.12.2005 “ Për Procedurat e Vlerësimit Fiziko-Shëndetësor të Kandidatëve që Aplikojnë për të Ndjekur Studimet në Shkollat Ushtarake Brenda dhe Jashtë Vendit, Kandidatëve qe Aplikojnë për Ushtarë Profesionist, Personelit të Forcave të Armatosura të Republikës Së Shqipërisë që Shkojnë me Mision jashtë Vendit”, kryen kontrollin e gjendjes shëndetësore të kandidatëve për studentë në UUS. Kandidatët të cilët rezultojnë të pa aftë, pas kontrollit shëndetësorë nuk pranohen në testimin fizik.
Kontrolli shëndetësor kryet individualisht nga kandidatët pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak duke paraqitur vërtetimin e regjistrimit si kandidat për student në UUS.
Komisioni shëndetësor plotëson formularin përkatës, duke saktësuar nëse kandidati është i aftë ose jo për të filluar studimet në Universitetin Ushtarak “Skënderbej”.
Një kopje të këtij formulari ia dorëzon personalisht kandidatit .
Përgatitja fizike
-Kandidati lejohet të konkurrojë në testimin fizik vetëm pasi dorëzon ne komisionin e verifikimit formularin e lëshuar nga Komisionit Mjeko-Ligjor, i ngritur pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak dhe që rezulton i aftë për të vazhduar studimet në UUS.
-Testimi Fizik është skualifikues. Kandidatët të cilët nuk arrijnë të marrin 20 për qind të pikëve në testin e përgatitjes fizike ndërpritet procedura e mëtejshme dhe nuk kanë të drejte të pranohen në UUS.
- Me përfundimin e testimit fizik studentit i jepet rezultati ( kualifikohet ose s’kualifikohet) me firmë të komisionit.
Vlerësimi akademik
Vlerësimi Akademik organizohet nga Universiteti Ushtarak “Skënderbej” në përputhje me Rregulloren e Vlerësimit të miratuar MASH.
Koeficientet e Vlerësimit Akademik për studentët që do të pranohen në Fakultetin e Menaxhimit të UUS janë të njëjtë me atë të Fakultetit Ekonomik të UT (të miratuar nga MASH).
Koeficientet e Vlerësimit Akademik për studentët që do të pranohen në Fakultetin Teknik të UUS janë të njëjtë me atë të Fakultetit Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike të Universitetit Politeknik (të miratuar nga MASH).
Shpallja e fituesve
Për shpalljen e fituesve ne UUS vlerësimi behet mbi bazën e rezultateve te arritura ne testimin shëndetësor, fizik dhe vlerësimin akademik në përputhje me Rregulloren e Konkurrimeve të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës si dhe të këtij udhëzimi.
Ne rast kualifikimi ne testimin shëndetësor dhe fizik vazhdon proceduara e llogaritjeve vetëm te vlerësimit akademik.
Regjistrimi për të fituar statusin e studentit
Kandidatët që shpallen fitues, duhet të regjistrohen për të fituar statusin e studentit në UUS.
Kandidatët që regjistrohen në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” duhet të paraqesin dokumente origjinale.
Në kryerjen e procedurës së regjistrimit, sekretaritë e fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë ku kandidatët fitues nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit. Gjithashtu në këtë regjistër kandidati duhet të nënshkruajë edhe në rastin e çregjistrimit nga kjo degë për arsye të ndryshme. Gjithashtu, sekretaria duhet të pajisë kandidatin që regjistrohet me një fletë regjistrimi të posaçme, ku, përveç emrit të kandidatit, shënohet data dhe ora e regjistrimit. Fleta e regjistrimit duhet të jetë e nënshkruar nga kryesekretarja e fakultetit. Procedurat e regjistrimit të fituesve, datat dhe hollësitë e tjera, do ti bëhen te njohura kandidatëve, në momentin e dorëzimit te rezultateve të Maturës Shtetërore, nga te interesuarit në sekretaritë e fakulteteve.
19 Gusht 2008