E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet Shqipëria, flakët rrezikojnë pushuesit në bregdet



Shqipëria është përfshirë e gjitha në flakë ditën e djeshme. Disa vatra zjarri janë shkaktuar, kryesisht në zonat bregdetare, por edhe në Jug apo Veri të vendit. Situata më e rëndë ishte në periferi të Himarës, ku flakët kanë rrezikuar komplekset hotelieri në bregdet. Burimet zyrtare raportojnë për zjarre edhe në Gjirokastër, Fier, Durrës, Malësi e Madhe dhe Divjakë, ku janë shkrumbuar me dhjetëra hektarë kullota, pyje dhe plantacione me ullinj. Temperaturat e ditëve të fundit kanë nxitur rënien e zjarreve, ndërkohë që në disa raste flakët janë shkaktuar nga dora e njeriut.
Alarmohen pushuesit në Himarë
Një zjarr i madh në zonën e Potamit në Himarë ka trembur pushuesit e shumtë që kishin zgjedhur të kalonin ditën e djeshme në këtë plazh. Zjarri ka rënë rreth orës 14:30, dhe është përhapur me shpejtësi në një kodër ku kishte plantacione me ullinj, duke zgjeruar sipërfaqen i ndihmuar edhe nga era. Në kodër ka dhe shtëpi banimi si dhe një lokal, të cilat janë rrezikuar, por sipas burimeve zjarri nuk ka dëmtuar asnjë shtëpi. Burimet në vendngjarje raportojnë se mjetet zjarrfikëse kanë shkuar me vonesë për shkak të largësisë. Pas angazhimit të punonjësve të njësisë së emergjencës, forcave të rendit dhe banorëve të zonës, u bë e mundur shuarja e flakëve.
Gjirokastër, 4 vatra në një ditë
Gjirokastra është rrethi më i dëmtuar nga zjarret gjatë kësaj vere, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 5 vatra të tilla. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se zjarri i parë ra ditën e diel në mbrëmje, rreth orës 20.00, në kodrat e fshatit Andon Poçi. Sipas zëdhënësit Gentian Mullai vatra e tij ishte shumë larg rrugës, dhe automjetet zjarrfikëse nuk hynin dot. Zjarri ka vazhduar gjatë natës, ku si pasojë e erës së fortë në orët e para të mëngjesit të djeshëm flakët i janë afruar sipërfaqeve të mbjella me vreshtari të fshatit Andon Poci, si dhe është përhapur edhe në drejtime të tjera ku rrezikoheshin edhe disa banesa”. Rreth orës 08.30 të ditës së djeshme shkuan në vendngjarje 3 automjete të repartit Zjarrfikës, forcat e Policisë dhe të Drejtorisë Pyjore. Vetëm pas 90 minutash janë vënë nën kontroll të gjitha vatrat e zjarrit përreth këtij fshati deri në fikjen e plotë të tyre. Por, një orë më pas, një bari, i cili po kulloste bagëtitë në lumin Drino, përballë fshatit Palokastër kërkoi ndihmë, pasi zjarri ishte afruar në drejtim të bagëtive. Në vend shkuan zjarrfikësja dhe forcat e policisë të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Si pasojë e flakëve në fshatin Andon Poçi janë djegur rreth 7 hektarë sipërfaqe kullosore dhe disa pemë frutore. Por në mesditën e djeshme flakët u shtrinë në anën tjetër të lumit Drino si pasojë e erës së fortë. Zjarri, i ndihmuar dhe nga era, është përhapur me shpejtësi, ku ka rrezikuar 13 banesa të këtij fshati. Ndërhyrja në kohë e 3 automjeteve zjarrfikëse , ka frenuar flakët duke bërë të mundur që banesat të mos përfshiheshin nga flakët. Zjarri ka përfshirë rreth 5 hektarë sipërfaqeje kullosore, disa bahçe të banorëve, një kasolle dhe ka përshkuar varrezat e këtij fshati. Rreth orës 16.00, zjarrfikëset, forcat e policisë dhe banorët kanë shuar plotësisht zjarrin në këtë fshat.
Rrezikohen tre fshatra në Veri
Një zjarr i rënë dje në Malësinë e Madhe ka rrezikuar tre fshatra. Shkak është bërë një kamion që transportonte bar të thatë dhe që ka marrë flakë gjatë rrugës. Më të kërcënuar ishin fshatrat Qarri i Sipërm, Demiraj, Grizhë, Çezëm, Meshqerraj. Bari ka marrë flakë pasi ka takuar në telat e tensionit të lartë. Në rrezik kanë qenë edhe drejtuesi i mjetit, Tonin Franga, 45 vjeç dhe i biri të cilët kanë shuar flakët e trupit me ujin e një burimi aty pranë. Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor. Edhe gjatë mbrëmjes kanë vazhduar operacionet për shuarjen e zjarreve.
Shkrumbohen 15 hektarë ullishte
Zjarri ka përfshirë gjatë ditës së djeshme zona të tëra në Divjakë, duke shkrumbuar 150 ha ullishte. Mendohet se këtu zjarri është vënë qëllimisht për të hapur kullota të reja në fshatin Shënapremte. Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Zjarrfikëset dhe banorët e zonës kanë vënë situatën nën kontroll pas disa orësh, ndërkohë që dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.
Shkrumbohen ullishtat e Margëlliçit
Një zjarr i fuqishëm që ka rënë mesditën e së hënës në kodrat e fshatit Margëlliç të rrethit të Fierit, ka përfshirë dhjetëra hektarë me shkurre dhe blloqe me ullinj. Megjithëse në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivat e FSHMZ-së dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe 4 mjete zjarrfikëse, zjarri vazhdoi të përparojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Terreni i vështirë dhe forca e erës ka favorizuar shumë përhapjen e flakëve, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve për shuarjen e tyre. Në operacione morën pjesë dy zjarrfikëse nga qyteti i Fierit, një nga Patosi dhe një zjarrfikëse e kKompanisë “Albpetrol" sha. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se policia ka filluar hetimin e ngjarjes për identifikimin dhe kapjen e autorit të vënies së zjarrit.
Shkrumbohet periferia e qytetit
Dy vatra zjarri janë identifikuar në mesditën e së hënës në periferi të qytetit të Durrësit, rreth 12 km larg nga njëra-tjetrës. Flakët kanë përshirë disa hektarë me bimësi të ulët, ndërsa dhjetëra forca dhe disa automjete zjarrfikëse punuan intensivisht për shuarjen e tyre deri në orët e vona. Shefi i PMNZSH-së, Etem Bardhi, tha se zjarri ka rënë fillimisht në kodrat e fshatit Shkallnuer, rreth 10 km në jug të qytetit të Durrësit, në zonën pranë vendit të quajtur Shkëmbi i Kavajës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se një tjetër zjarr ka rënë disa orë më vonë në kodrat e Spitallës, rreth 4 km në veri të qytetit të Durrësit. Bardhi tha se pesë automjete zjarrfikëse të repartit të PMNZSH së rrethit, si dhe një automjet tjetër i repartit zjarrfikës të Autoritetit Portual, punuan së bashku me dhjetëra forca zjarrfikëse në të dy zonat e përfshira nga flakët. Sipas të njëjtit burim, mësohet se situata është më e rëndë në kodrat e fshatit Shkallnuer, ndërsa në zonën e Spitallës flakët janë vënë në kontroll. Gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar me dhjetëra zjarre në gjithë vendit, ku në shumicën e rasteve është konstatuar se ato kanë qenë të qëllimshme.

Anti-Cannabis edhe në Tropojë, asgjësohen mbi 1000 rrënjë

TROPOJË- Nisin operacionet anti-Cannabis edhe në zonat e thella të Veriut të vendit, ku gjatë dy ditëve të fundit janë asgjësohen rreth 1040 rrënjë bimë narkotike. Operacioni u ndërmor nga Policia e qarkut të Kukësit. Parcelat me bimë narkotike u gjetën në malin e Bobogushit, në fshatin Kërnajë, të komunës së Tropojës së vjetër. Policia i gjeti bimët e mbjella në një sipërfaqe të shpyllëzuar pa pronar toke, duke lënë në hije autorët e mbjelljes së lëndëve narkotike. Burime nga Policia e Kukësit bëjnë të ditur se ende nuk ka të arrestuar, ndërsa janë asgjësuar të gjitha rrënjët e zbuluara. Vetëm gjatë dy muajve të fundit Policia e qarkut të Kukësit zbuloi dhe asgjësoi më shumë se 4370 rrënjë Cannabis sattiva në rrethin e Tropojës.

Vidhet makina e shtetasit grek para hotelit në Korçë

KORÇË – Një shtetas grek ka raportuar në Policinë e Korçës se i kanë vjedhur makinën e parkuar pranë hotelit ku ai po qëndronte në një vizitë pune në Shqipëri. Jani Apostol Kristo, 35 vjeç, lindur dhe banues në Volos të Greqisë, me kombësi dhe shtetësi greke, ishte vendosur për të qëndruar në hotel “Regency” në qytetin e Korçës. Pranë këtij hoteli ka parkuar mjetin tip “Seat Ibiza”, me vit-prodhimi 1997, me targë BOZ 8826.
Kur është ngritur në orën 08:00 të mëngjesit të djeshëm, ai ka konstatuar se mjeti i tij nuk ishte në parking si dhe nuk ka gjetur çelësat ku pretendon se i kanë humbur kur hyri në hotel. Policia e Korçës, pasi mori denoncimin tha se po kryen veprimet procedurale për veprën penale të “vjedhjes” dhe se po punohet për identifikimin e autorëve.

19 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›