Konstitucionalistët, kundër Berishës për sanksione ndaj zgjedhësve që nuk marrin pjesë në votime
Eljona Ballhysa
Konstitucionalistët shqiptarë janë shprehur kundër propozimit të kryeministrit Berisha për të sanksionuar zgjedhësit që nuk marrin pjesë në votime. Të pyetur nga gazeta “Albania” ata janë shprehur kundër vendosjes së këtij sanksioni ligjor, duke theksuar se një propozim i tillë qëndron jashtë realitetit. Ata gjithashtu vunë theksin në faktin se një sanksion i tillë nuk ekziston në shumicën e vendeve europiane. Sipas tyre, në Shqipëri duhet të plotësohen shumë kushte të tjera, që lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.
Kundërshtimet
Konstitucionalisti i njohur, Rustem Gjata, e vë në dyshim zbatimin e një sanksioni të tillë në rast se do të miratohej si amendim në Kodin Zgjedhor. Midis humorit dhe dyshimit ai shprehet se si mund të detyrohen 100 mijë njerëz të marrin pjesë në zgjedhje dhe se si mund të gjobiten këta. “Po të vihej një nen i tillë unë s’e kuptoj, a do të mund të zbatohej ndonjëherë, pasi si mund të detyrosh 50 apo 100 mijë veta të marrin pjesë në zgjedhje?! Për mua është një propozim jashtë realitetit dhe s’ia vlen për t’u diskutuar”, - është shprehur Gjata. Po në të njëjtën linjë mendimi është dhe konstitucionalisti tjetër, Luan Omari. Ai bën të ditur se këtë sanksion e aplikojnë vetëm Greqia dhe Belgjika, por sipas Omarit, këto dy vende, megjithëse e kanë të ngulitur në ligj, nuk e zbatojnë asnjëherë. Më tej Omari shpjegon se nëse propozimi është serioz, atëherë duhet të diskutohet me seriozitet nga grupet e caktuara të politikës. Megjithëse ai nuk e mbështet vendosjen e një sanksioni për njerëzit që nuk marrin pjesë në zgjedhje, shprehet se nëse palët do të bien dakord, atëherë duhet të bëjnë ndryshime në Kushtetutë, pasi një nen i tillë prek të drejtat dhe liritë e njeriut. Sipas Omarit, në Shqipëri nuk ka nivel të tillë ekonomik që qeveria të aplikojë gjoba për personat që nuk marrin pjesë në zgjedhje. Po kështu dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kristaq Kume, ka bërë të ditur për gazetën se politika, para se të vendosë kushte të tilla, duhet më parë të plotësojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe me procedura sa më lehtësuese për njerëzit. Kume mendon se një propozim i tillë është herët për t’u diskutuar, pasi në Shqipëri ekzistojnë çështje më të rëndësishme se kjo për t’u zgjidhur përsa u përket zgjedhjeve.
Propozimi
Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës bëri publike analizën e punës 7-mujore të qeverisë. Duke folur për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, kryeministri u shpreh se ekziston një problem për një grup njerëzish që nuk marrin pjesë në zgjedhje. Ai tha se do të diskutohet me opozitën që të vendoset një sanksion ligjor për këta persona që nuk marrin pjesë në zgjedhje. Vetëm një ditë pas kësaj deklarate, të pasqyruar dhe në media, zëdhënësja për shtyp e kryeministrit lexoi përgënjeshtrimin. Sipas saj, kryeministri nuk e ka bërë një deklaratë të tillë dhe çdo shkrim me këtë përmbajtje është një trillim. “Edhe pse në disa vende demokratike përdoret dhe zbatohet votimi i detyruar, kryeministri Berisha as e ka deklaruar dhe as do të deklarojë diçka të tillë”, - është shprehur zëdhënësja e kryeministrit. Por, në të vërtetë, vetë zyra e shtypit e kryeministrit, në fjalën e zbardhur të kreut të qeverisë e kanë të cituar pikërisht propozimin e Berishës për të vendosur një sanksion ligjor në bashkëpunim me opozitën.
Rustem Gjata: “Propozimi është jashtë realitetit”
“Po të vihej një nen i tillë, nuk e di a do mund të zbatohej ai?! Nuk mendoj se si mund të realizohet. Si mund të detyrosh 100 mijë njerëz të marrin pjesë në votime? Për mua është një propozim jashtë realitetit dhe s’ia vlen fare ta diskutosh”, - është shprehur konstitucionalisti i njohur Rustem Gjata, duke u shprehur kundër vendosjes së sanksionit për t’i detyruar zgjedhësit të marrin pjesë në votime.
Luan Omari: “Sanksioni prek të drejtat e njeriut”
“Në të vërtetë janë disa shtete që e kanë, siç është Greqia dhe në mos gaboj dhe Belgjika. Por, me sa di unë, megjithëse e kanë në ligj, nuk e zbatojnë asnjëherë. Për mua është një propozim që nëse është serioz, duhet diskutuar me seriozitet. Unë nuk mendoj se vendi ka nivel ekonomik të tillë që t’u vendosësh gjoba njerëzve pse s’mori pjesë në zgjedhje. Por nëse palët vendosin ta venë, duhet parë Kushtetuta, pasi ky është nen që prek të drejtat e njeriut”, - është shprehur Omari.
Kristaq Kume: “Është herët për të diskutuar një sanksion të tillë”
“Çdo gjë është e realizueshme në Shqipëri, por unë mendoj se para kësaj vendi ka nevojë për krijimin e shumë kushteve të tjera, që janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik. Për mua, që klasa politike të arrijë të vendosë një sanksion të tillë duhet më parë të garantojë të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit. Sepse lind pyetja: çdo bëhet me atë që nuk e ka emrin në listë, apo me një emigrant?!” - është shprehur Kume.
19 Gusht 2008