E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha sot në Bruksel, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm në NATO-s



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, do të marrë pjesë sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të Jashtëm të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel. Ky është takimi i parë i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel ministrash të Jashtëm, në të cilin ftohen të marrin pjesë Shqipëria dhe Kroacia. Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s do të jenë situata dhe zhvillimet në Gjeorgji. Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të anëtarësohen në NATO në Samitin e Bukureshtit, më 3 prill 2008. Më 9 korrik 2008 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat i hapën rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Gjatë mbledhjes së sotme pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm, Basha, do të jetë në rolin e dëgjuesit dhe jo të votuesit, deri në momentin kur Shqipëria do të pranohet më të drejta të plotë si anëtare e NATO-s.

PDK: Berisha të hetojë pushtetarët me prona në bregdet

Partia Demokristiane e ka cilësuar të paplotë bilancin e punës 7-mujore të qeverisë të bërë publike vetëm pak ditë më parë nga kryeministri Berisha, gjatë një konference për shtyp. Sekretari Politik i PDK-së, Lazër Stani, është shprehur dje se kryeministri Berisha nuk i ka përmendur në asnjë fjali të raportit të tij arritjet e pohuara edhe nga ndërkombëtarët në sektorin e Shëndetësisë. “Në çdo raport ndërkombëtar janë dhënë vlerësime pozitive për reformat ligjore të iniciuara në fushën e Shëndetësisë, por meqenëse kryeministri ka vendosur lënien e PDK-së jashtë qeverisë, ai nuk i përmendi këto arritje”, - është shprehur Stani. PDK-ja, gjithashtu, shprehet kundër faktit të pranuar dhe nga Berisha se qeveria e tij ka qenë 3 herë më socialiste se qeveritë socialiste. Sipas përfaqësuesit të PDK-së, kjo tendencë politike e majtë, e ndjekur nga një qeveri e djathtë, është negative dhe me pasoja për moralin dhe integritetin qeverisës të së djathtës në Shqipëri. Më tej sekretari Politik i PDK-së i ka cilësuar të dështuara reformat kryesore të qeverisë, si ajo e kthimit dhe kompensimit të pronave apo reforma e legalizimeve. Stani, në emër të PDK-së, kërkoi që kryeministri Berisha të nisë hetimin e zaptimit të pronave nga pushtetarët në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. “Një dështim i plotë është mungesa e reformave dhe rezultateve konkrete në çështjet më të rëndësishme ekonomike e sociale, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe ai i legalizimit. Përveç 5-6 tapive që u dhanë në fushatën e fundit elektorale lokale, ende nuk është dhënë asnjë dokument legalizimi, ndërkohë që po merren vazhdimisht vendime abuzive antipronë, siç ishte ai i shndërrimit të mjediseve sportive në sheshe të reja ndërtimi. PDK-ja i kërkon qeverisë “Berisha” që duke lënë mënjanë thirrjet voluntariste, të hetojë për ligjshmërinë e pronave të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, sidomos në zonat bregdetare, duke filluar nga Velipoja e duke përfunduar në kilometrin e fundit të bregdetit, në Jug të vendit”, - është shprehur Stani. Sipas tij, zgjidhja e çështjes së pronësisë është shumë e rëndësishme për vendin, dhe tashmë ky problem nuk mund të zgjidhet nga Partia Republikane. “Ne shprehim shqetësimin tonë se zgjidhja e çështjes së pronësisë në Shqipëri nuk mund të bëhet as nga një parti që ka hyrë në terminologjinë tonë politike si partia e Gërdecit, dhe as nga politikanë dhe politika të majta, që sa herë afrohet pushteti brenda natës, veshin kostumet e djathta”, - është shprehur Stani, ndërsa i kërkoi kryeministrit që të përshpejtojë procesin ligjor të kompensimit të ish-pronarëve, duke e zgjidhur përfundimisht problemin e pronësisë në Shqipëri si një detyrim ligjor dhe premtim elektoral i kësaj maxhorance.

19 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›