Aksidenti, plagoset koreografi Agron Aliaj

Koreografi Agron Aliaj
TIRANE – Aksidentohet në qendër të Tiranës koreografi i njohur, ish-udhëheqësi artistik i disa shfaqjeve në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj. Artisti i njohur është përplasur nga një makinë që lëvizte me shpejtësi, në kohën që sapo kishte dalë nga Teatri i Operës. Ai po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është goditur nga automjeti. Sapo ka shkelur në vijat e bardha në asfalt, një automjet e ka përplasur duke e rrëzuar në tokë koreografin. Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës në Tiranë. Koreografi me një karrierë 50-vjeçare në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj, është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Por, sipas stafit mjekësor të Spitalit Ushtarak, aksidenti i ka dëmtuar palcën kurrizore, gjë që rrezikon paralizën e tij në pjesën e sipërme. Koreografi, që aktualisht është në pension, për shkak edhe të moshës e ka mjaft të vështirë që t’i përgjigjet pozitivisht terapisë mjekësore. Për shëndetin e tij është interesuar dje edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i cili e ka vizituar paraditen e djeshme në Spitalin Ushtarak, ku Aliaj ndodhet i shtruar duke marrë mjekimin. Ndërsa nga ana tjetër, familjarët e tij shprehin shqetësimin për shëndetin e të afërmit të tyre dhe i kërkojnë shtetit që t’i krijojë një mundësi trajtimi më të specializuar, qoftë në spitalet publike, apo private në vend dhe në rast se është e nevojshme, edhe jashtë shtetit.