Zbulohet SMS e tretë e Bashos për të dashurën

Ilia Basho dhe Yllka Shehaj
Pas vrasjes së Elenit, i kërkoi Yllka Shehajt t’i fshihte telefonat.
Ilia Basho e ka porositur të dashurën e tij, Yllka Shehaj, “t’i zhdukë” telefonat e saj një ditë pas vrasjes së Eleni Bashos. Burimet nga Policia thanë dje se ky fakt është zbuluar nga mesazhet e rikuperuara prej telefonit të Ilia Bashos. Hetuesit kanë hapur rubrikën e mesazheve të celularit të personit të arrestuar dhe pasi nuk kanë gjetur aty thuajse asnjë mesazh, kanë ngritur dyshimet se gjithçka është fshirë nga aparati. Për këtë arsye, celulari i Ilia Bashos i është dhënë Policisë Shkencore për ekzaminim, dhe është arritur që të rikuperohen një numër mesazhesh. Mes tyre është edhe një SMS e dërguar nga Ilia Basho tek Yllka Shehaj pas vrasjes së Eleni Bashos. Në këtë mesazh, sipas Policisë, Ilia Basho e porosiste të dashurën e vet që t’i fshihte telefonat që kishte përdorur për komunikim me të deri në këtë kohë. Hetuesit thanë se një kërkesë e tillë e Ilia Bashos është konfirmuar edhe nga dëshmia e dhënë prej Yllka Shehajt në Drejtorinë e Policisë më 21 shkurt 2012, kur është marrë në pyetje për herë të fundit. Sipas grupit të hetimit, komunikime të tilla të Ilia Bashos tregojnë më së miri implikimin e tij dhe përpjekjen për të fshehur veprimet që ai kishte kryer dhe implikimin në “organizimin e vrasjes së Eleni Bashos”.
Mesazhet e Bashos
Tri ditë më parë, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi masën e arrestit me burg pa afat për Ilia Bashon. Në seancë u paraqitën një mesazh nga avokati dhe një mesazh nga prokurori. “Nesër ose më datë 2 zgjidhet kjo punë”, ishte mesazhi që citoi prokuroria, duke e akuzuar Ilia Bashon se e ka nisur këtë SMS në numrin e të dashurës së vet para se Eleni Basho të vritej me dy plumba teksa kthehej në banesën e saj në Shkozë. Ndërsa mesazhi tjetër që citoi avokati në sallën e gjyqit ishte: “O të marr, o vdes, ke disa para poshtë orës në shtëpinë time, kujdesu për fëmijët e mi po nuk u bë kjo që dua unë”. Akuza dhe mbrojtja i interpretuan sipas qëndrimit të tyre mesazhet e gjetura në telefonin e Ilia Bashos. Ndërkohë mësohet se avokati i të akuzuarit për vrasje ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit në kryeqytet. Avokati ka konsideruar se ndalimi i klientit të tij është bërë në shkelje të ligjit dhe se prokuroria, me përjashtim të aludimeve dhe interpretimeve subjektive, nuk ka paraqitur para gjykatave prova bindëse në lidhje me akuzën e ngritur ndaj Ilia Bashos.