Kostandini: Dëshmoj jetën e artistit në periferi

Artisti Anastas Kostandini duke treguar një vepër kushtuar Lasgushit
Piktori pogradecar ekspozon në galerinë FAP.
E riciklueshmja s’është gjë e keqe, e asgjesueshmja, e kontestuara është fatkeqësi
E shkatërrueshmja për të është fatkeqësi. Dhe shkatërrimi vjen kur artisti nuk është i vërtetë, por përçues i mendimeve të të tjerëve. Anastas Kostandini, apo Taso siç e njohin shumica, kërkon të jetë i vërtetë edhe kur pikturon liqenin e Pogradecit, zhytjen e diellit, por edhe damizhanët e rakisë e të verës. E aq më shumë në këtë ekspozitë të fundit që ka hapur në galerinë FAP, të cilën e quan “Mikrokozmos”. Piktori pogradecar ka sjellë me vete gjithë botën e tij, që nga pema e shtëpisë lyer me gëlqere të bardhë, kolltukun ngjyra-ngjyra, ca damixhanë kokëvarur, si të dehur që mbahen në supet e njëri-tjetrit, mantelin, bastunin e borsalinën e Lasgushit dhe tablo me teknika mikse, ku ndërthuret druri, metali, tekstili, letra, penela, paleta. E gjithë mikrobota e artistit, në takim me botën “e madhe”, që gjithnjë e më tepër humbet konturet e individuales.
Që prej motiveve me damixhanë vere e rakie, ktheheni në Tiranë me një mikropolis, ç’kuptoni me këtë titull?
Ky është një qytet i vogël. Mikro është një njeri i papërsëritshëm, prej të cilit përbëhet bota, polis ndoshta është arti. Unë dua të dëshmoj për pjesët periferike, por drama, motori i gjithë kësaj është njeriu që do të dëshmojë ekzistencën ultraintime të tij në periferi, me ankthin dhe dëshirën për të takuar artin e madh. Gjithmonë më është thënë se është e pamundur ta takoj atje ku unë kam vendosur të jetoj. Por, të paktën tentoj dhe e bëj këtë me gjithë jetën time, duke investuar në të dhe vetë veprën në këtë rast, duke e vënë në dyshim atë. Dhe më intereson që përtej këtij dyshimi, apo rishqyrtimi të eksperiencës sime, madje edhe edukimit tim të jetë një monolog, pse jo dhe një dialog me kolegë, eksperienca, ndikime. Më pëlqejnë ndikimet, pasi ato të lejojnë të kuptosh në ti ke diçka apo jo.
Si vjen kjo dëshmi e juaja?

Vepra Tempulli i piktorëve
Jetojmë në një botë kozmopolite, e cila është gjithnjë e më pak personale, së paku në shprehjen artistike. Dhe ky është një tentacion i imi për të përdorur gjithçka që kam rrotull, me të cilat kam raporte dhe dua t’i përplas ato për të nxjerrë diçka. Pra jam duke zierë raki.
Mund ta quajmë këtë ekspozitë edhe një rikthim në Akademinë e Arteve?
Më pëlqen të vë në dyshim gjithçka. Është e vërtetë që kam ardhur në metropol në këtë galeri arti shumë simpatike. Para 33 vjetësh kam ikur prej Akademisë dhe kam ardhur me një eksperiencë që është krejt e kundërta e asaj që kam marrë nga pedagogët e mi. Për këtë jam i ndërgjegjshëm dhe më pëlqen. Në këtë epokë ku jetojmë, kjo mund të jetë normale, por është ende anormale brenda qenies sime dhe dua të jem i ndërgjegjshëm për lirinë që disponoj.
Vini me një ekspozitë që nuk i ngjan atyre të mëparshmeve, as edhe në teknikë, ç’janë këto kërkime?
Është thuajse një aventurë e plotë. Kam vënë në diskutim gjëra të padiskutueshme, siç janë grafikat, apo vizatimet e mia, pikturat. I kam copëtuar dhe rimontuar në një rend tjetër. Objektet banale i kam idealizuar, si për shembull një karrige që e kam quajtur “Karrigia e Van Gogut”, apo pemën e shtëpisë sime e kam quajtur “Pema e pikturës”. Dua të ëndërroj në mënyrë madhështore. Këto mund të jenë sende fare ordinere, të cilat unë i shoh si vepra arti dhe kanë nga një histori të gjitha. Kanë titull. Më kanë lejuar një argëtim të pacak drejt mënyrave, aksioneve fare të panjohura, duke mos ma bërë jetën skëterrë me ikjen e një vrage, apo një rruge akademike të paracaktuar, të paragjykuar, e cila del pakëz nga aksi i saj. Nuk kam pyetur fare për këto gjëra, kam ndjekur shtigjet e mia dhe herë pas here më hapeshin të tjera.
Ku ka mbetur piktori i peizazhit?

Vepra Takim me fëmijërinë
Është një eksperiencë krejt e kundërt. Të gjithë e dinë që unë jam gati-gati një gladiator i peizazhit. Kam bërë mbi 3500 peizazhe dhe gjithmonë ndihesha keq nëse dielli lind bukur e unë nuk isha duke pikturuar. E quaja mëkat. Por tani nuk e quaj më të tillë. Edhe këto marri i quaj të rëndësishme. Kjo është inkoshienca e një artisti që ka një eksperiencë 40-vjeçare.
Duke rivitalizuar objekte tuajat, që ndoshta ju kishin zënë vend në shtëpi, duket sikur i përmbaheni aksiomës së famshme asgjë nuk humbet
Duket si një lloj riciklimi Gjithmonë kam ëndërruar të bëj një pikturë monumentale dhe kam studiuar për pikturë monumentale. Shumë herë monumentaliteti është ngatërruar me broçkullat e epokave dhe këto kuptime më kallin datën. Dua që këto objekte të jenë të padiskutueshme dhe ultrapersonale, që të jenë të pashkatërrueshme. Gjithçka shkatërrohet. E riciklueshmja nuk është gjë e keqe, kurse e asgjesueshmja, apo e kontestuara është një fatkeqësi për artin. Ndodh kur idhujt, apo shembujt që artisti do të japë, vizionet që do të krijojë, nuk janë të sinqerta, nuk janë pjellë e tij, por ai është thjesht përçues i energjisë së dikujt tjetër.
Ju ka ndodhur?
Pa diskutim. Unë jam regjur edhe nga kjo punë, por gjithnjë dua të bëj diçka të timen, prandaj u qasem objekteve që kanë një ngarkesë, që nuk duan t’ia dinë fare për mua, apo për kuptimet e të tjerëve, ato kanë kuptimet e tyre dhe sot dua të bëj paqe me kuptimet e mia, që të rri mirë me to. Unë jetoj në të njëjtën shtëpi ku kam lindur dhe nuk mund të jem gjakprishur, nuk mund të them se realiteti ku jetoj është banal. Ajo më jep lëndën e të papërsëritshmes.
Ju mbyt ky realitet?
Në realitetin ku jetoj më duhet një sasi force për ta refuzuar atë, apo për të mos e pranuar atë, pasi një pjesë e tij është kundër meje. Në pikëpamjen që është një vend, që sigurisht e dua pa fund, është jeta ime, por jo të gjitha mund të m’i ofrojë. Unë jam artist dhe duhet të shkoj ku janë këto gjëra. Shpesh më pëlqen muzika klasike dhe më pëlqen të lundroj në një det të artit madhështor. Dhe ky është një kompensim i mungesave.
Të zbresim pak me këmbë në tokë, a mund të jetojë një piktor vetëm me pikturën në Pogradec?
Është shumë e vështirë. Unë edhe mund të jetoj, sepse jam një gladiator i pikturës. Ndonjë ditë ndoshta do të jetoj vetëm me pikturë, edhe pse unë që sot thuajse me të jetoj. Merrem me këtë punë që prej vitit 1968, kur kam qenë në lice. Nuk e di kur do të ndalem. Por ky është vetëm një episod. Shpresoj të mos jetë një nga ato episode kur të tjerët të thonë se jam çmendur. Por, nuk kam ardhur këtu për t’i shndërruar punët e mia në një mall për treg dhe jam i qetë. Artistët sot, për shkaqe të ndryshme, kanë probleme financiare dhe nuk e vetëfinancojnë dot krijimtarinë e tyre. Por, unë këtu kam ardhur tërësisht për qefin tim.