E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, plagoset rëndë një 30-vjeçar

Një mashkull rreth 30 vjeç, i paidentifikuar, është aksidentuar rëndë në hyrje të qytetit bregdetar të Durrësit. Policia lokale bëri të ditur se ka arrestuar në flagrancë autorin e aksidentit të rëndë, i cili është shtetasi Ramiz Hyseni, 51 vjeç, lindur në Pukë e banues në lagjen 1 të Durrësit. Burimet policore saktësuan se kapja dhe arrestimi i Ramiz Hysenit u bë pasi rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, në segmentin rrugor Ura e Dajlanit- Durrës ka aksidentuar një shtetas në kohën kur drejtonte automjetin e tij me targa DR8075D. I aksidentuari është një mashkull rreth 30 vjeç. Ai ka mbetur i paidentifikuar, pasi nuk ka pasur dokumente identifikimi me vete, ndërsa aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Durrësit. Ndaj Hysenit nisën hetimet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa nga ana e policisë po punohet për identifikimin e viktimës së aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›