Urdhri i SHKB-së: Kontroll uniformave blu të rrugores
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka urdhëruar efektivët e saj, që në qendër të hetimeve të kenë abuzimet e uniformave blu të policisë së qarkullimit rrugor. Ky urdhër është dhënë nga eprorët në Ministrinë e Brendshme, pas një sërë denoncimesh që janë bërë për abuzime me detyrën, por edhe sepse jemi në prag të sezonit turistik, ku pritet ardhja e shumë emigrantëve. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se këto ditë është ndërmarrë ky urdhër, nga i cili pritet që të ketë sa më pak abuzime prej policisë së qarkullimit rrugor. Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ka pasur gjithnjë prioritet në punën e saj, në zbulimin e abuzimeve nga efektivët e policisë, duke goditur në të gjitha rastet e provuara. Kështu, për të intensifikuar këtë punë, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ka publikuar edhe numrat saj në të gjithë drejtoritë e policisë në qarqe, që kanë ndikuar në rritjen e denoncimeve të qytetarëve, të cilët kanë rënë pre e abuzimeve. Ndërkohë, duke marrë shkas nga sezoni turistik, SHKB-ja ka dhënë edhe detyrat e saj përkatëse për efektivët e kësaj drejtorie. "Meqenëse po afron sezoni turistik dhe pritet që shumë emigrantë të kthehen në Shqipëri, ne duhet të jemi më vigjilentë në punën tonë, pasi, siç është parë edhe vitet e tjera, në këtë kohë rriten edhe abuzimet e policëve të qarkullimit rrugor", thuhet në letër-porosinë e Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Kjo i është dërguar të gjithë efektivëve të SHKB-së në rrethe, të cilët tashmë janë njohur me të. Ndërkohë, burimet nga SHKB-ja bënë të ditur se denoncimet ndaj punonjësve të policisë janë rritur në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2007. Por, në shumë raste ka pasur edhe pafajësi të punonjësve të policisë. Gjithashtu, burimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm thanë se rastet e denoncuara janë nën hetim e sipër nga ana e tyre, si dhe çështjet e përfunduara i janë referuar prokurorisë për procedimin penal të abuzuesve. Vetëm pak ditë më parë, policia rrugore u "sulmua" edhe nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Me nota të ashpra ai kritikoi rezultatet e këtij seksioni, ku binte në sy numri i madh i aksidenteve, si dhe komunikimi i efektivëve të policisë rrugore me drejtuesit e mjeteve. Nishani paralajmëroi se do të ketë masa të ashpra për çdo rast abuzimi dhe se nuk do të pajtohej me rritjen e numrit të aksidenteve.