Vrasja e biznesmenit, pranga të dyshuarit
Policia e Fierit bëri të ditur se ka arrestuar në orët e vona të së premtes një 30-vjeçar nga fshatit Rrërëz i rrethit të Beratit, i cili dyshohet se është i përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit fierak Ismet Saliko. I arrestuari ka kohë që vëzhgohet nga agjentët e krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, si autor i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ismet Saliko, por me provat që posedon policia e prokuroria deri tani nuk është mundur të ngrihet akuza për vrasje. Policia bën të ditur se po punon për të verifikuar përfshirjen e 30-vjeçarit nga Berati në vrasjen e biznesmenit Saliko, por e vetmja gjë që ka arritur deri tani është mbajtja e tij në burg me akuzën e "armëmbajtjes pa leje". Së bashku me 30-vjeçarin nga Berati, policia ka shoqëruar edhe katër persona të tjerë, të afërm të tij, që janë banorë të fshatit Rrërëz në Berat dhe fshatit Panahor në Mallakastër. Në komunikatën për shtyp lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier paraditen e djeshme, bëhet e ditur se i janë vënë prangat rreth orës 23:50 minuta të mbrëmjes së premte 30-vjeçarit Guxim Çala. Ai është marrë në polici për t‘u pyetur në lidhje me vrasjen e biznesmenit fierak Ismet Saliko dhe gjatë kontrollit që i është bërë në banesë i është gjetur një pushkë e modelit 56, si dhe 9 copë fishekë. Krerë të Drejtorisë së Policisë Fier kanë pohuar se "arma është gjetur pas shoqërimit të Çalës në mjediset e Komisariatit të Fierit, si autor i dyshuar për vrasjen e Salikos". Burimet zyrtare të Policisë Fier bëjnë të ditur për "Shqip" se janë marrë në pyetje edhe nga agjentë të krimit të organizuar dhe prokurori i çështjes "Saliko" edhe katër personat e tjerë, që kishin lidhje me Guxim Çelën. Prokurori i çështjes, Petrit Vukaj, tha se "ne kemi arritur të shkojmë ndoshta shumë pranë autorit, por nuk kemi prova të mjaftueshme. Kemi shoqëruar Çalën si të dyshuar, si dhe katër persona të tjerë, por me prova të pakundërshtueshme kemi vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje ndaj tij". Prokurori Petrit Vukaj tha gjithashtu se i arrestuari dhe katër personat e tjerë të shoqëruar kanë pasur njohje dhe lidhje ortakërie me biznesmenin e vrarë.