Pushuesit rikthejnë policinë në Ksamil
Pas qytetit të Sarandës, Ksamili mbetet ndër adresat më të preferuara për të kaluar pushimet e tyre verore mijëra pushues nga i gjithë vendi dhe nga trevat shqiptare. Por, përveç shumë problemeve infrastrukturore, qyteza turistike ka mangët edhe shërbimin policor. Opinioni komunitar, ai i bizneseve turistike dhe ai i qeverisjes vendore, kërkon rikthimin e shërbimit policor në qytezë. Tentativa për ta kthyer postën e policisë në Ksamil në fillimin e vitit 2007 dështoi, për shkak të reformës në polici. Prej 3 vjetësh çdo "alo" te 129-a ka qenë si të flasësh në vesh të shurdhër, pasi mjetit më të shpejtë të Komisariatit të Policisë së Sarandës i duhet të paktën një gjysmë ore të mbërrijë në Ksamil. Kryetari i Komunës së Ksamilit, Vesel Koçia, thotë se "Rikthimi i postës së policisë nuk ka përse të vonohet". Për këtë ai u referohet reagimeve që vijnë edhe nga komuniteti, i cili kërkon më shumë rend e qetësi, ashtu edhe nga bizneset turistike, që funksionojnë në Ksamil. Ndërkohë, mësohet se një stacion policie do të funksionojë në Ksamil sivjet. Kjo konfirmohet nga drejtues të sektorit të rendit në Komisariatin e Policisë së Sarandës. Shefi i rendit dhe i sigurisë në Komisariatin e Sarandës, Leonard Muka, thotë se nuk ka asnjë dyshim se gjatë verës do të vihet në funksion 24 orë stacioni i policisë në Ksamil, me një inspektor të policisë kriminale dhe një patrullë shërbimi.