E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti rrugor, humb jetën një 33-vjeçar



Tiranë - Si pasojë e një aksidenti të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka humbur jetën një 33-vjeçar. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës konfirmuan se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pranë Urës së Gjoles, në Fushë-Krujë, një furgon ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të mjetit, shtetasit Arbër Plepi, ndërkohë që ka mbetur i plagosur pasagjeri i furgonit, i cili aktualisht është në gjendje kritike për jetën. Nga hetimet e policisë mësohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të humbjes së kontrollit nga drejtuesi i mjetit.

Moti i rënduar, një i sëmurë rëndë dërgohet me helikopter nga Puka në Tiranë

Pukë – Një banor i zonave të thella malore të Pukës u dërgua me helikopter nga autoritetet, pasi kishte nevojë të ngutshme për ndërhyrje të specializuar mjekësore në kryeqytet. Banori, një i sëmurë kronik, u mor në orën 12:00 nga fshati Iballë i rrethit Pukë me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe u soll në Tiranë. Ndërkohë, bëhet e ditur se situata emergjente në qarkun Shkodër vazhdon të jetë problematike. Një ditë më parë, reshje të shumta dëbore u regjistruan në zonat e Pukës, Dukagjinit dhe Vermoshit. Në shkallë qarku akset rrugore në zonat e thella malore janë të kalueshme, por duhet përdorur zinxhirë, thanë autoritetet vendore. Sakaq, bëhet e ditur se aksi rrugor Qafë Mali – Fierzë është i kalueshëm vetëm me një kalim dhe vetëm për mjete të transportit të udhëtarëve. Nga ana tjetër, të bllokuara vazhdojnë të mbeten rrugët malore Tamarë – Vermosh, Bogë – Theth, Kir – Dukagjin, Fushë Arrëz – Iballë.

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›